Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, do të mbajë sot konferencë për media në ora 14:00, lidhur me mospërfshirjen e buxhetit të Komunës së Prishtinës në Buxhetin e Kosovës.
Sipas njoftimit të tij, çështja ka të bëjë me mosprocedimin e buxhetit të miratuar të Kryeqytetit, për të cilin ai ka reaguar edhe më 13 shkurt përmes një postimi publik.
Rama ka deklaruar se bllokimi i buxhetit nuk është çështje teknike apo administrative, por vendim politik.
“Sot po flas jo vetëm si Kryetar i Prishtinës, por si përfaqësues i mbi 300 mijë qytetarëve që po penalizohen padrejtësisht. Qeveria e re e Kosovës po bllokon qëllimisht buxhetin e miratuar të Kryeqytetit. Ky nuk është vonim teknik. Nuk është keqkuptim administrativ. Është vendim politik për ta dobësuar Prishtinën”, ka shkruar ai.
Ai ka theksuar se buxheti i Kryeqytetit është votuar sipas ligjit dhe se çdo ndërhyrje për ta anashkaluar, sipas tij, përbën shkelje të rendit institucional.
“Le ta them qartë: kur ndalet buxheti i Prishtinës, ndalet ndërtimi i shkollave, ndalet përmirësimi i infrastrukturës, ndalet investimi në çerdhe, ndalet zhvillimi ekonomik. Kjo nuk është luftë ndaj Kryetarit. Kjo është ndëshkim kolektiv ndaj qytetarëve”, ka deklaruar Rama.
Më tej, ai ka shtuar se Prishtina nuk duhet të trajtohet si mjet presioni politik dhe ka paralajmëruar ndjekjen e rrugëve ligjore nëse situata vazhdon.
“Nëse Qeveria vazhdon me këtë qasje, ne do të ndjekim çdo rrugë ligjore dhe institucionale për ta mbrojtur të drejtën tonë. Kjo nuk është çështje personale. Kjo është çështje dinjiteti institucional dhe respekti ndaj qytetarëve. Prishtina nuk do të heshtë. Prishtina nuk do të frikësohet. Dhe Prishtina nuk do të ndalet”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/