Kryetari i ri i Prishtinës, Përparim Rama, u betua të martën para asambleistë të rinj gjatë mbledhjes inauguruese të Kuvendit Komunal.
Në ceremoninë solemne, Rama premtoi se do të ushtrojë detyrat e tij në krye të kryeqytetit me ndershmëri, besnikëri, në mënyrë të paanshme dhe në përputhje me ligjin.
“Bazuar në nenin 57 të Ligjit për Qeverisje Lokale, me rastin e zgjedhjes si kryetar i komunës, bëj betimin para anëtarëve të Kuvendit të Komunës si më poshtë: Unë, Përparim Rama, betohem se do t’i kryej detyrat dhe do t’i ushtroj kompetencat si Kryetar i Komunës së Prishtinës me nder dhe besnikëri, në përputhje me ligjin, për një jetë të qetë dhe të dinjitetshme për të gjithë”, deklaroi Rama, raporton Telegrafi.
Ky është mandati i tij i dytë si kryetar i Prishtinës.
Kuvendi Komunal i Prishtinës përbëhet nga 51 asamblistë. Sipas rezultateve të raundit të parë të zgjedhjeve lokale më 12 tetor, LDK-ja ka 15 përfaqësues, PDK-ja dhe LVV-ja nga 12, AAK-ja 5, “Lidhja për Prishtinën” 4, ndërsa Lista GUXO, PSD-ja dhe Nisma kanë nga një asamblist. /Telegrafi/