Komuna e Junikut ka njoftuar për përmbylljen e një procesi të rëndësishëm të pastrimit të zonave të prekura nga mbetjet e luftës, duke e cilësuar këtë si një hap të madh drejt rritjes së sigurisë për qytetarët.
Sipas njoftimit, ky proces është realizuar falë angazhimit të organizatës HALO Trust dhe mbështetjes së partnerëve ndërkombëtarë, në veçanti Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Zvicra dhe Japonia.
Në ceremoninë e shënimit të përfundimit të këtij procesi morën pjesë përfaqësues të institucioneve vendore dhe organizatave ndërkombëtare, përfshirë të ngarkuarën me punë të Ambasadës Amerikane në Kosovë, Anu Pratipati, si dhe ambasadorin e Zvicrës, Jürg Sprecher.
Autoritetet komunale bënë të ditur se zonat që dikur konsideroheshin të rrezikshme, nga hapësirat kufitare në Bjeshkët e Junikut deri në pjesët qendrore të qytetit, tashmë janë shndërruar në ambiente të sigurta për jetesë dhe zhvillim të komunitetit.
Kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, në fjalën e tij, theksoi rëndësinë e këtij procesi për të ardhmen e qytetarëve.
“Çdo hapësirë e pastruar është një hap më shumë drejt sigurisë dhe një të ardhmeje më të mirë për qytetarët tanë”, ka deklaruar ai.
Komuna e Junikut e ka cilësuar këtë arritje si një moment të rëndësishëm për rritjen e sigurisë dhe ndërtimin e një perspektive më të qëndrueshme për banorët e saj. /Telegrafi/