Një përleshje fizike ka ndodhur të mërkurën rreth orës 17:40 në sheshin “Adem Jashari” në Lipjan, ku si pasojë dy persona kanë mbetur të lënduar.
Sipas Policisë së Kosovës, në incident kanë qenë të përfshirë disa persona, ndërsa njëri nga të lënduarit dyshohet se ka pësuar lëndime nga një mjet i fortë, ndërsa tjetri nga një mjet i mprehtë.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila ka bërë të ditur se policia ka intervenuar menjëherë pas marrjes së informatës.
“Sot rreth orës 17:40 kemi marrë informatën për një përleshje fizike në sheshin ‘Adem Jashari’ në Lipjan. Bazuar në të dhënat fillestare, në këtë rast kanë qenë të përfshirë disa persona, dy prej të cilëve janë lënduar, njëri dyshohet se është lënduar me mjet të fortë, ndërsa tjetri me mjet të mprehtë,” ka deklaruar Ahmeti.
Ajo ka shtuar se personat e lënduar janë dërguar për trajtim mjekësor, ndërkohë që policia ka shoqëruar në stacion gjashtë persona, prej të cilëve tre janë të dyshuar lidhur me këtë rast.
Sipas Ahmetit, hetuesit policorë, në koordinim me Prokurorinë, janë duke punuar për sqarimin e plotë të rrethanave të incidentit.