Industria e bukurisë, estetikës dhe mirëqenies fizike në Kosovë do të ketë për herë të parë një panair të dedikuar, ndërsa detaje të reja për organizimin e “Beauty Fair Kosova 2026” janë zbuluar në podcastin e Telegrafi për Biznes nga organizatorja Sherife Kqiku-Vishaj, CEO në PR Solutions.
Sipas saj, ideja për organizimin e këtij panairi erdhi pas hulumtimeve që treguan mungesën e një platforme të tillë në vend, pavarësisht zhvillimit të madh të sektorit.
“E kemi pa që është mungesë e një organizimi të tillë në Kosovë me i grumbullu të gjithë akterët që ndërlidhen me beauty dhe interesimi ka qenë shumë i madh”, tha Kqiku-Vishaj.
Organizatorja theksoi se interesimi nga bizneset ka qenë mbi pritshmëritë dhe se industria në Kosovë është më e zhvilluar sesa mendohej fillimisht. “Kur filluam me i kontaktu, e pamë se sa e zhvilluar është industria” u shpreh ajo.
Ndiqni podcastin e plotë këtu:
Beauty Fair Kosova 2026 do të mbahet më 24, 25 dhe 26 prill në Sallën e Panaireve në Prishtina Mall, ku pritet të marrin pjesë rreth 50 brende vendore dhe ndërkombëtare, përfshirë klinika estetike, kompani kozmetike, sallone bukurie dhe furnizues të teknologjive estetike.
Panairi synon të krijojë një platformë prezantimi, promovimi dhe rrjetëzimi për bizneset e industrisë, si dhe të sjellë demonstrime live, aktivitete promovuese dhe një Beauty Kongres me ekspertë të fushës.
Ngjarja pritet të tërheqë dhjetëra mijëra vizitorë gjatë tri ditëve, duke u shndërruar në një pikë referimi për trendet e reja dhe zhvillimin e industrisë së bukurisë në vend. Organizatorët kanë paralajmëruar gjithashtu se panairi synon të bëhet tradicional dhe të shoqërohet edhe me iniciativa të reja, përfshirë lansimin e një reviste të dedikuar për industrinë.
Bizneset e interesuara mund të aplikojnë për pjesëmarrje përmes kanaleve zyrtare të Beauty Fair Kosova, ndërsa organizatorët presin që edicioni i parë të shënojë fillimin e një eventi që do të vendosë standard të ri për këtë sektor në Kosovë.