Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola beson se përballja me Real Madrid në fazën e 1/8 së finales së Ligës së Kampionëve do ta ndihmojë skuadrën e tij të rritet, duke u mbështetur në mësimet nga përballjet e fundit kundër fituesve 15-herë të turneut.
Reali dhe City janë takuar vazhdimisht në vitet e fundit ndërsa kanë një rekord të barabartë. Fati i njëjtë i ka pritur edhe këtë vit, ku dy gjigantët evropianë do të takohen sërish.
Guardiola e ka parë këtë përballje si pozitive, pasi beson se Man City veçse do të bëhet me i fortë në këso ndeshje.
“Për klubin tonë, sa më shumë që luan kundër skuadrave më të mira në histori në këtë kompeticion, aq më shumë mëson, përmirësohesh dhe bëhesh më i mirë në të ardhmen”, tha Guardiola në konferencën për shtyp të së premtes.
Manchester City është gati për ndeshjen e parë më 10 mars, pasi e mbylli fazën e ligës në vendin e tetë me 16 pikë. Real Madridi, që u kualifikua përmes fazës së play-offit, përfaqëson një test të njohur dhe shumë të vështirë — City është përballur me ta në katër fazat e fundit me eliminim direkt, përfshirë humbjen në gjysmëfinalen e vitit 2022 dhe eliminimin me penallti në vitin 2024.
Skuadra e Guardiolës hyn në këtë duel me moment pozitiv nga rezultatet e fundit në Ligën Premier, por gjigantët spanjollë mbeten pika e referimit. City ka fituar vetëm një herë në shtatë përballjet e fundit me Realin në Ligën e Kampionëve./Telegrafi/