Trajneri i Aston Villas, Unai Emery, ka kërkuar nga drejtuesit e klubit që gjatë afatit kalimtar të dimrit të përforcohet reparti ofensiv, duke vënë theksin te nevoja për një lojtar kreativ, të shpejtë dhe me instinkt goli.
Sipas raportimeve, në listën e dëshirave të klubit anglez ka hyrë edhe anësori egjiptian Omar Marmoush.
26-vjeçari aktualisht ndodhet me kombëtaren e Egjiptit në Kupën e Kombeve të Afrikës 2026 dhe ka rënë në sy për paraqitjet e tij, falë shpejtësisë, teknikës dhe aftësisë për të luajtur në të dy krahët e sulmit.
Marmoush ka kontratë me Manchester Cityn deri më 30 qershor 2029, ndërsa sipas Transfermarkt, vlera e tij në treg arrin rreth 65 milionë euro.
Një transferim i mundshëm pritet të jetë i ndërlikuar, duke marrë parasysh kontratën afatgjatë dhe kërkesat financiare të klubit nga “Etihad”.
Marmoush përndryshe nuk është në formacionin bazë të Pep Guardiolas, por nuk dihet nëse tekniku spanjoll është i hapur që ta përforcojë rivalin në Angli.
Villa këtë edicion ka mahnitur të gjithë për t’u renditur në pozitën e tretë në tabelë, kurse po synon ta sigurojë një vend që të dërgon në Ligën e Kampionëve për edicionin 2026/27./Telegrafi