Peja ka regjistruar fitore të rëndësishme në elitën e basketbollit kosovar, duke e thelluar krizën e Rahovecit 029. Skuadra pejane triumfoi të shtunën në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec me rezultatin 89:81, në ndeshjen e vlefshme për xhiron e 25-të të Superligës së Kosovës.
Peja është në kërkim të një pozite sa më të mirë për play-off dhe aktualisht renditet në mesin e tabelës me 36 pikë, pas 11 fitoreve dhe 14 humbjeve. Në anën tjetër, Rahoveci 029 me tetë fitore dhe 17 humbje ka 33 pikë dhe mbetet në pozitë të vështirë për mbijetesë.
Vendësit e nisën më mirë takimin dhe e mbyllën pjesën e parë me epërsi dhjetë pikëshe, 45:35. Megjithatë, rikthimi i madh i mysafirëve erdhi në pjesën e dytë. Peja fitoi çerekun e tretë 24:18, ndërsa periudha e fundit u mbyll 30:18 në të mirë të “verdhezinjve”, për fitoren përfundimtare me tetë pikë dallim.
Kjo ishte fitorja e parë e Pejës pas pesë humbjeve radhazi.
Daquan Bracey ishte më i dalluari te Peja me 19 pikë dhe shtatë asistime, ndërsa kontribut të madh dha edhe Musab Mala me 21 pikë, gjashtë kërcime dhe pesë asistime. Te Rahoveci 029 u veçua J’von McCormick me 23 pikë, gjashtë kërcime dhe shtatë asistime.
Në xhiron e ardhshme, Peja përballet me Sigal Prishtinën, ndërsa Rahoveci 029 luan në udhëtim te Vëllaznimi./Telegrafi/