Gjatë seancës plenare për miratimin e buxhetit të vitit 2026, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, kritikoi Qeverinë për mosreflektim dhe mungesë ndryshimesh në projektligjin e propozuar.
Tahiri njoftoi se PDK-ja ka vendosur të tërheqë amendamentet e saj, duke bërë të qartë se partia nuk do të mbështesë buxhetin për këtë vit.
“PDK edhe në diskutimet paraprake në Kuvend ka dhënë vërejtjet e veta, jo vetëm në aspekt profesional dhe teknik, por edhe në kuptimin e reflektimit të nevojave që ka pasur buxheti. Ne kemi pritur që brenda dy leximeve të ketë reflektim dhe ndryshime pozitive, që buxheti të përparojë në aspekt profesional”, tha Tahiri.
Ai theksoi se mosrealizimi i këtyre ndryshimeve tregon mungesë gatishmërie nga ana e Qeverisë për të adresuar sugjerimet e deputetëve dhe nevojat e qytetarëve. /Telegrafi/