Partia Demokratike e Kosovës (PDK) përshëndet dhe falënderon deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës për miratimin e Rezolutës në mbrojtje të të drejtave të çlirimtarëve në Hagë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe të tjerëve
Sipas PDK-së, kjo Rezolutë u fut në rend dite dhe u votua sot në seancën e parë të legjislaturës së X-të të Kuvendit, pas kërkesës së Grupit Parlamentar të kësaj partie. Ajo shënon një moment të rëndësishëm institucional dhe kombëtar, duke theksuar përkushtimin për një proces të drejtë, të paanshëm dhe në përputhje me standardet kushtetuese e ndërkombëtare.
“Rezoluta kërkon nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të sigurojnë respektimin e plotë të standardeve ndërkombëtare dhe kushtetuese, transparencën dhe llogaridhënien, si dhe kultivimin e besimit publik në drejtësi. Ajo konfirmon gjithashtu zotimin e institucioneve të Kosovës për të mbështetur të drejtën e mbrojtjes së udhëheqësve dhe luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë edhe mbështetjen financiare”.
PDK e konsideron këtë votim si një akt përgjegjësie shtetërore dhe uniteti institucional, duke theksuar se mbrojtja e një procesi të drejtë ligjor, respektimi i dinjitetit të luftës çlirimtare dhe afirmimi i vlerave mbi të cilat është ndërtuar Republika e Kosovës janë obligime që tejkalojnë përkatësitë partiake.
“Ne do të vazhdojmë të jemi gardianë të Kushtetutës, të vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të së drejtës për drejtësi të paanshme, në emër të shtetit dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës,” thuhet në komunikatën e PDK-së.