Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës mbajti sot mbledhjen e radhës, ku diskutoi për zhvillimet e fundit politike dhe situatën institucionale në vend.
Sipas partisë, papërgjegjshmëria e shumicës parlamentare ka prodhuar një situatë të panevojshme dhe të dëmshme për stabilitetin e vendit.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, theksoi se rruga e vetme për daljen nga kriza është kthimi te qytetari përmes zgjedhjeve të reja.
“PDK po riorganizohet për të qenë më afër qytetarëve dhe për të ndërtuar një ofertë të qartë politike që garanton stabilitet dhe zhvillim. Kosova ka nevojë për institucione funksionale dhe vendimmarrje të përgjegjshme, jo për improvizime dhe kriza të njëpasnjëshme”, thuhet në njoftim.
Gjatë mbledhjes, Kryesia ngriti shqetësimin për gjendjen ekonomike në vend, duke vlerësuar se Qeveria po dështon t’i adresojë problemet reale të qytetarëve.
PDK rithekson përkushtimin e saj për stabilitet institucional, zhvillim ekonomik dhe mirëqenie qytetare, duke u angazhuar që përmes një qasjeje të përgjegjshme dhe gjithëpërfshirëse të rikthejë besimin në institucione dhe perspektivën e qartë për vendin. /Telegrafi/