Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, duke e cilësuar situatën si të paprecedent, për shkak se partitë nuk arritën të dakordohen për rendin e ditës.
Ajo theksoi se rezoluta e propozuar për mbrojtjen e viktimave të luftës nuk ka qenë kurrë çështje politike për PDK-në.
“Kujtesa nuk është vetëm e kaluara, kujtesa është identitet, kujtesa është themeli mbi të cilin ndërtohen institucionet dhe shteti. Megjithatë, pati një rezistencë për mua të paarsyeshme dhe të pashpjegueshme nga anëtarët e Vetëvendosjes. PDK e ka bërë të qartë se marrëveshjet ndërkombëtare i voton, këto s’janë marrëveshje të një partie”, tha Çitaku.
Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, e konsideroi të keqardhshme kundërshtimin e Vetëvendosjes që rezoluta të mos trajtohet si pikë e parë e rendit të ditës.
Ai shtoi se, edhe pse renditja është teknike, ajo përfaqëson simbolin dhe mesazhin e vullnetit të të gjithë deputetëve për të njohur viktimat e luftës. /Telegrafi/