Pas reagimeve të shumta që shkaktoi postimi i tij ofendues ndaj Leonora Jakupi, këngëtari Labinot Rexha ka bërë një kthesë publike në qëndrimin e tij, duke e fshirë deklaratën e mëparshme dhe duke reaguar sërish në rrjetet sociale me një mesazh pajtues.
Në një shkrim të publikuar në Facebook, ai tërhoqi fjalët e thëna gjatë debatit dhe theksoi se familja nuk duhet të përfshihet në asnjë konflikt, sidomos kur bëhet fjalë për përplasje që kanë ndodhur brenda lojës.
Rexha nënvizoi se ndonëse mund të ketë pasur qëndrime të ndryshme me këngëtaren gjatë spektaklit, kjo nuk justifikon sulmet personale apo familjare.
“Pavarësisht se kam pasur qëndrime kundër Leonora Jakupit në lojë, dua ta them qartë: nuk ka asnjë arsye që të preket familja,” shkroi ai, duke shtuar se familja e artistes është “familje legjendare” dhe duke vlerësuar babanë e saj të ndjerë si dëshmor të kombit. Ai theksoi gjithashtu kontributin e Leonorës në muzikë dhe në art për kombin shqiptar, duke bërë thirrje për respekt jashtë lojës.
Foto: Labinot Rexha/Facebook
Në fund të reagimit, këngëtari u bëri apel ndjekësve të mos bien pre e portaleve apo llogarive të rreme që, sipas tij, synojnë të krijojnë përçarje dhe tension për klikime, duke nënvizuar se si popull duhet të ruhet respekti për familjen, sakrificën dhe kombin.
Reagimi i tij vjen pasi deklarata e mëhershme shkaktoi kritika të shumta në rrjet, ndërsa mesazhi i fundit shihet si një përpjekje për të ulur tensionet dhe për të sqaruar qëndrimin e tij publik. /Telegrafi/