Agjencia amerikane e inteligjencës, CIA, ka njoftuar se pas 83 vitesh po shuhet The World Factbook, publikimi më i njohur informativ në botë, i cili për një kohë të gjatë ka shërbyer si një lloj “enciklopedie globale”.
Në këtë publikim, CIA paraqiste informacione bazë për çdo cep të botës, ndërsa ai u shërbente agjencive të inteligjencës, mediave dhe individëve anembanë globit për t’u informuar mbi gjendjen në zona të ndryshme të planetit.
Kjo bazë e të dhënash përmbante për çdo shtet të botës informacionet më themelore (gjeografia, popullsia, sistemi politik, ekonomia, fuqia ushtarake), por edhe detaje të tjera që ishin të dobishme për studiuesit dhe analistët e rajoneve të caktuara.
CIA ka vendosur ta mbyllë këtë publikim për shkak se formati i World Factbook është vjetruar, raporton politico.
Publikimi ishte konceptuar si një referencë statike që përditësohej një herë në vit ose periodikisht, ndërkohë që sot komuniteti i inteligjencës përdor baza dinamike të dhënash, burime në kohë reale dhe platforma analitike të integruara që rifreskohen vazhdimisht, gjë që e ka bërë Factbook-un shumë të ngadaltë.
Po ashtu, një pjesë e madhe e të dhënave që ofronte Factbook sot janë më të qasshme dhe përditësohen më shpesh përmes institucioneve si Banka Botërore, Kombet e Bashkuara dhe FMN-ja.
Pas mbylljes formale të World Factbook, CIA nuk do të ketë një publikim të ngjashëm dhe ka paralajmëruar se do të fokusohet në analiza më të thelluara. Të dhënat bazë, siç theksojnë, do t’ua lënë institucioneve të tjera që publikojnë statistika të tilla.
Natyrisht, një faktor në marrjen e vendimit për mbylljen e Factbook ishte edhe aspekti financiar.
Mirëmbajtja e publikimit përbënte një barrë teknike dhe kadrovike, pasi kërkonte verifikim të vazhdueshëm të të dhënave dhe marrjen e vendimeve politikisht të ndjeshme mbi statusin e shteteve dhe territoreve, ndërsa përfitimi nuk e justifikonte më këtë përpjekje. /Telegrafi/