Pas hetimeve të nisura në Drenas lidhur me shkeljet në procesin e votimit, Prokuroria Themelore në Prizren ka iniciuar sot hetime edhe në Qendrën Komunale të Numërimit në Dragash.
Veprimet po kryhen në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, hetimet janë nisur me vetiniciativë, me autorizim të Kryeprokurorit të Prizrenit, Petrit Kryeziu, pas pranimit të informatave publike lidhur me procesin e rinumërimit të rezultateve të votimit.
“Në kuadër të këtyre hetimeve, Prokuroria Themelore në Prizren është duke ndërmarrë veprime hetimore në Komunën e Dragashit,” thuhet në njoftim.
Hetimet lidhen me dyshimet për kryerjen e veprave penale të parashikuara në Kapitullin XVIII të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), që ndërlidhen me shkeljen e të drejtave të votimit.
Prokuroria ka bërë të ditur se gjatë ditës, pas intervistimit të të dyshuarve në polici, do të lëshohet një komunikatë shtesë me informacione mbi veprimet dhe zhvillimet e mëtejshme hetimore. /Telegrafi/