Parlamenti hungarez miratoi me shumicë rezolutën që i kundërvihet anëtarësimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian (BE) dhe financimit të mëtejshëm të nevojave të saj ushtarake me shpenzimet e vendeve të BE-së.
Në total, 142 anëtarë të parlamentit votuan për këtë propozim, 28 kundër, ndërsa katër abstenuan.
Në dokument thuhet se Hungaria i kundërvihet anëtarësimit të Ukrainës në BE, duke pretenduar se vendi është në luftë dhe nuk plotëson kriteret për anëtarësim, shkruan kyivindependent.
Në rezolutë, parlamenti i bën thirrje qeverisë të mos mbështesë nisjen e negociatave për anëtarësimin e Ukrainës në BE.
Dokumenti gjithashtu kërkon ndalimin e dërgimit të parave ose armëve për Ukrainën dhe përpjekjet për të parandaluar rishpërndarjen e fondeve evropiane, të supozuara për Hungarinë, për nevojat e Kievit.
Autorët e rezolutës pretendojnë se pjesa e Ukrainës në financimin e buxhetit të ardhshëm shtatëvjeçar të BE-së mund të kalojë 360 miliardë euro, pjesërisht për shkak të reduktimit të subvencioneve bujqësore.
Rezoluta gjithashtu mirëpret kërkesën e qeverisë që të kryhet një anketë midis popullsisë për financimin e mëtejshëm të Ukrainës në formën e një peticioni kombëtar.
Në dokument, qeveria i bëhet thirrje të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar vazhdimin e politikës së BE-së që mbështet Ukrainën në luftë, si dhe “tërheqjen e Hungarisë dhe BE-së në luftën ruso-ukrainase”.
Hungaria muajin e kaluar gjithashtu bllokoi miratimin e paketës së 20-të të sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë dhe pengoi dhënien e 90 miliardë euro kredive të BE-së për Ukrainën, duke kërkuar vazhdimin e furnizimit me naftë ruse. /Telegrafi/