Në episodin më të ri të podcastit “Arena e Yjeve”, mysafir ishte ish-futbollisti i njohur, tashmë trajneri Fadil Ademi. Ky episod realizohet me mbështetjen e sponsorëve zyrtarë Golden Eagle dhe Exfis.
Ademi ka ndarë një nga episodet më të veçanta të jetës së tij, ku tregoi se dita e martesës së tij përkoi me një ndeshje vendimtare në sezonin e vitit1995, kur ekipi i tij luftonte për mbijetesë në Ligën Unike.
“Më 12 nëntor 1995, unë veç e kishim vendosur t’i japim fund beqarisë, të martohemi me bashkëshorten Hamiden edhe u caktua data”.
“Por ne në të njëjtën ditë e kishim edhe një ndeshje shumë të rëndësishme. Në 1995, ku luhej Liga Unike edhe neve na nevojiteshin ato tre pikë, edhe normalisht duhej që unë të isha aty sepse isha një prej atyre lojtarëve të rëndësishëm që bartnim barrën së bashku me lojtarët e tjerë siç ishin Avdyl Kaqiu, Naim Beka, Luan Dibra, Ismet Mulolli, Bajram Krasniqi mos ta harrojë edhe ndonjë”.
“Ndodhi që u caktua data në ditën e ndeshjes edhe si përpara siç kanë qenë zakonet, dasmat zakonisht organizoheshin 4-5 ditë përpara, fillonte të enjten deri të dielën”.
“Ata e dinin se unë do të martohem ditën e diel edhe si me ia bë, iu thashë po më vjen shumë keq, jam i vetëm në shtëpi, data është caktuar, nuk mund të vij”.
“Edhe të enjten dasma ka filluar, më duket se ka qenë e premte. Ka ardhur profesori Bylbyl Sokoli, Shaban Baholli. Kanë ardhur të më urojnë për dasmën time që po martohem, por në të njëjtën kohë të bisedojnë me babain tim si t’ia bëjmë që Fadili të vijë në ditën e ndeshjes”, rrëfen mes tjerash Ademi.
Episodin e plotë me Fadil Ademin mund ta ndiqni në kanalin zyrtar të Telegrafit në YouTube./Telegrafi/