Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamed Hoxha sot promovoi vënien në përdorim të pajisjeve të reja të specializuara për deponinë Rusino, në kuadër të Projektit rajonal për menaxhimin e mbetjeve të ngurta.
Bëhet fjalë për një investim prej 1.114.200 euro, i financuar përmes një kredie nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), ndërsa ministri Hoxha tha se shpreson se me investime të këtilla t’i jepet fund edhe deponive ilegale.
“Investimi me vlerë prej 1,114,200 euro u realizua me mbështetjen e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Me mekanizmin e ri, kapaciteti operativ i Rusinos rritet ndjeshëm dhe futen standarde moderne në punën e përditshme. Ky aktivitet është pjesë e investimit më të gjerë prej 55 milionë eurosh që filloi reformën më të madhe të infrastrukturës në sektorin e mbeturinave në vend”.
“Në fazën e ardhshme është parashikuar një investim prej rreth 14 milion euro për rehabilitimin dhe zgjerimin e deponisë, që përfshin ndërtimin e qelizave të reja të deponisë, sistemin për menaxhimin e lëngjeve dhe biogazit, si dhe mbylljen e deponisë ekzistuese”.
“Kjo siguron përputhshmëri të plotë me standardet evropiane dhe krijimin e sistemit modern rajonal, që do të thotë fund i deponive të paligjshme dhe një mjedis më të pastër për qytetarët e Pollogut”, tha Hoxha.