Kuvendi i Kosovës i ka bërë kërkesë Komisionit për Buxhet për shtim të buxhetit në shumën prej mbi 361 mijë euro. Por, kjo kërkesë ndonëse u konsideruar imediate për funksionimin e Kuvendit të Kosovës, nuk mori mbështetjen e anëtarëve të Komisionit për Buxhet.
Kërkesën e Kuvendit të Kosovës për buxhet shtesë e paraqiti sekretari i Kuvendit, Arben Loshi, i cili tha se duhet marrë parasysh se aktive janë dy legjislatura ajo e 8 dhe 9 që marrin pagën kalimtare.
“Kërkesa është e paraqitur në zbatim të legjislacionit dhe akteve nënligjore me qëllim që të plotësojmë kërkesat buxhetore apo të bëjmë zbatimin e akteve të brendshme. Kemi kërkuar te programi për deputetët 361,746 euro shtesë. Siç e dini, kemi dy legjislatura aktive, legjislaturën e 8 dhe 9, ku kemi deputetë, të cilët në pajtim me ligjin janë duke marrë pagë kalimtare. Dhe kemi një mungesë në këtë kategori të pagave për vitin fiskal 2026 dhe në mënyrë që të mbulojmë të gjitha pagat e deputetëve aktual, të legjislaturës së 10 dhe deri më 22 mars të legjislaturës së 8 që përfundon një njësie sipas nenit 16 të ligjit për të drejtat dhe përgjegjësit e deputetëve.
Te stafi mbështetës politik kemi një rregullore që është miratuar nga Kryesia e Kuvendit më 14 prill 2023 dhe me këtë rregullore janë shtuar 27 pozita të reja: 5 këshilltarë për nënkryetar të Kuvendit, 14 nëpunës të kabinetit për kryetar të komisioneve parlamentare, 6 vozitës të grupeve parlamentare dhe dy të punësuar përkatësisht për grupin e deputetëve të rinj për forumin për transparencë parlamentare. Domethënë, totali i këtyre pozitave të reja është 27 me një implikim buxhetor shtesë 410,326 euro duke filluar nga muaji mars, të kalkuluara vetëm nga muaji mars deri në dhjetor 2026”, tha Loshi.
Ndërsa, sekretari i Kuvendit të Kosovës, tha se Kuvendi i Kosovës po ballafaqohet me mungesë të stafit.
“Kurse në administratën e Kuvendit në buxhet i kemi 213 pozita, por buxhet për vitin 2026 kemi vetëm për 160 pozita, për të cilat jemi aktualisht, për shkak se kur është bërë projektligji i buxhetit është marrë si referencë buxheti i muajit mars 2025, në kohën kur ka përfunduar mandati i Kuvendit. Pjesa e stafit të administratës është nevojë imediate. Sot kanë filluar 11 komisione, sikur komisionet të kishin vazhduar me punë të gjatë, ne nuk kishim mundur me i mbulua.
Kemi 5 përkthyes të gjuhës serbe që sigurojnë përkthimin e gjuhës shqipe në serbe dhe anasjelltas por kemi e dhe takime tjera që organizohen. Kemi mungesa dhe në staf, kemi shtim të komisioneve nga 14 në 16 dhe duhet staf shtesë. Jemi duke bërë transfere të përkohshme. Dhe kërkesa vetëm nga muaji korrik deri në dhjetor 2026 është për administratën e Kuvendit 215 mijë euro shtesë të shtohen”, tha ai.