Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka njoftuar se ka marrë vendim për nisjen e procesit për rikthimin e rrjedhës së lirë natyrore të lumenjve në Kosovë.
Sipas saj, ky vendim hap rrugën për identifikimin dhe largimin gradual të pengesave të vjetruara në shtretërit e lumenjve, si diga të vogla, pragje dhe struktura të tjera artificiale që tashmë janë jashtë funksionit dhe dëmtojnë ekosistemin ujor.
Pacolli theksoi se përmes këtij vendimi synohet përmirësimi i cilësisë së ujit, rikthimi i migrimit natyror të faunës ujore, si dhe zvogëlimi i rreziqeve nga përmbytjet që shkaktohen nga bllokimi i mbeturinave dhe drunjve gjatë prurjeve të mëdha të ujit.
“Lumenjtë e lirë janë më të shëndetshëm për natyrën dhe më të sigurt për qytetarët”, ka theksuar ministrja Pacolli.