Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë pjesëmarrjes në Samitin Botëror të Qeverisjes në Emiratet e Bashkuara Arabe, ka zhvilluar disa takime bilaterale me udhëheqës të vendeve pjesëmarrëse.
Presidentja Osmani u takua me Kryeministren e Mozambikut, Maria Benvinda Levy, me të cilën zhvilloi një diskutim, siç e përshkroi ajo, “përmbajtësor” mbi sfidat e përbashkëta dhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve. Ajo theksoi se partneritetet ndërkombëtare janë kyçe për adresimin e çështjeve globale dhe forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Gjatë samitit, Presidentja Osmani u takua edhe me Kryeministrin e Mbretërisë së Eswatinit, Russell Mmiso Dlamini. Ajo shprehu mirënjohjen e popullit të Kosovës për njohjen e hershme të pavarësisë nga Eswatini dhe ritheksoi përkushtimin për forcim të bashkëpunimit në fusha me interes të ndërsjellë.
Në njoftimin e saj, Presidentja Osmani theksoi se diskutimet përfshinë edhe mundësinë e lidhjes së marrëveshjeve konkrete, si dhe nevojën për koordinim më të ngushtë në forume multilaterale.
Sipas saj, Kosova mbetet e përkushtuar ndaj partneriteteve të ndërtuara mbi respekt të ndërsjellë dhe një vizion të përbashkët për paqe dhe zhvillim./Telegrafi/