Presidenca e Kosovës po pret vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me kushtetutshmërinë e dekretit për shpërndarjen e Kuvendit, para se të nënshkruaj dekretin për zgjedhjet e reja.
Kështu ka bërë të ditur, Bekim Kupina, këshilltar për Media i presidentes Vjosa Osmani.
“Presidentja ende nuk e ka nënshkruar dekretin për datën e zgjedhjeve sepse, siç i ka njoftuar edhe partitë në takimin konsultativ, ajo është në pritje të Gjykatës Kushtetuese. Nëse Gjykata Kushtetuese e vlerëson si të nevojshme caktimin e një mase të përkohshme, Presidenca e mirëpret atë, duke ritheksuar se masa në asnjë moment nuk paragjykon vendimin përfundimtar të Gjykatës lidhur me kushtetutshmërinë e dekretit”, tha Kupina.
Ndryshe, Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje sot ka dorëzuar kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit të presidentes Osmani për shpërndarjen e Kuvendit.
Sipas njoftimit të bërë nga shefja e këtij grupi, Arbërie Nagavci, thuhet se kanë kërkuar nga Gjykata që të vendos masë të përkohshme për pezullimin e këtij dekreti.
“Është e qartë se Presidentja e Republikës nuk ka të drejtë diskrecionale për të ndërhyrë në funksionimin e pushtetit legjislativ, e aq më pak për të ndërmarrë veprime që çojnë në shpërndarjen e Kuvendit. Roli i Presidentit në këtë proces është strikt i kushtëzuar dhe aktivizohet vetëm në rrethanat e përcaktuara qartë nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës”, ka njoftuar ajo. /Telegrafi/