Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur ngushëllimet e saj për familjet e tre qytetarëve kosovarë që humbën jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë në një kantier ndërtimi në Vjenë, Austri.
“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për humbjen tragjike të jetëve të bashkatdhetarëve tanë: Pajtim Bajrami, Asllan Musliu dhe Istref Zekaj, si pasojë e aksidentit të rëndë në një kantier ndërtimi në Vjenë”, tha presidentja Osmani.
Ajo theksoi se kjo tragjedi ka lënë dhimbje të madhe jo vetëm te familjet e viktimave, por edhe te gjithë qytetarët e Kosovës.
“Kjo tragjedi e rëndë, që ua ndërpreu jetën teksa punonin për ta siguruar jetesën, ka lënë një dhimbje të thellë e të pashuar jo vetëm te familjet e tyre, por te të gjithë ne”, shtoi Osmani.
Presidentja u shpreh gjithashtu se ndan dhimbjen me familjet e viktimave.
“Në këto momente të vështira, ju shprehim ngushëllime familjeve, miqve dhe të afërmve të viktimave. Ndajmë dhimbjen me familjet dhe lutemi që të gjejnë forcë për ta përballuar këtë humbje të rëndë. I përhershëm qoftë kujtimi për Pajtim Bajramin, Asllan Musliun dhe Istref Zekajn”, u shpreh Osmani. /Telegrafi/