Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se me ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë parandaluar plane të rrezikshme të Serbisë, edhe pas sulmit në Banjskë.
Duke folur në emisionin “Pressing” në T7, Osmani ka theksuar rolin kyç të SHBA-së në momentet kritike për sigurinë e vendit.
“Ne një shtet e kemi në krah, është Amerika. Kjo është dëshmuar edhe në ditën e Banjskës dhe të gjithë që punojnë në institucione e dinë fort mirë për çka e kam fjalën,” ka deklaruar ajo.
Osmani ka bërë të ditur se gjatë natës së sulmit kishte zhvilluar komunikime urgjente me partnerët ndërkombëtarë.
“Të gjitha institucionet e dinë shumë mirë kënd e kemi thirrë ne në 3 të mëngjesit në telefon, kush na ka dalë në ndihmë e kush na ka mbyllë telefonin,” u shpreh ajo.
Sipas saj, përmes komunikimit me SHBA-në është arritur të parandalohet përshkallëzimi i situatës.
“Presidentja e Republikës së Kosovës i është drejtuar Shtëpisë së Bardhë për të parandaluar plane shumë më ogurzeza që kanë qenë përtej Banjskës. Pra nuk ka qenë vetëm Banjska në rrezik. Kemi arritur që në komunikim me Amerikën të parandalojmë plane ogurzeza,” ka theksuar Osmani.