Federata e Futbollit të Maqedonisë zhvilloi sot Kuvendin e rregullt vjetor, ku nga 65 delegatë të ftuar morën pjesë 61. Në këtë takim u miratuan disa vendime kyçe, përfshirë llogarinë përfundimtare dhe buxhetin për vitin 2025, si dhe Statuti i ri i Federatës së Futbollit të Maqedonisë, i cili vjen pas plot 15 vitesh, njofton Telegrafi.
Statuti i ri është hartuar në bashkëpunim me UEFA-n dhe FIFA-n, duke synuar përputhje me standardet ndërkombëtare. Ai parasheh më shumë transparencë, ndarje të qartë përgjegjësish dhe një sistem funksional vendimmarrjeje. Një nga ndryshimet kryesore është rajonalizimi i strukturave, pasi një pjesë e ligave komunale janë vlerësuar si jofunksionale ose vetëm formale.
Presidenti i FFM-së, Masar Omeragiç, theksoi se pas një procesi riregjistrimi është evidentuar një rënie drastike e numrit të futbollistëve meshkuj – nga afro 45 mijë në rreth 14 mijë, duke e cilësuar këtë si problem serioz sistemik që kërkon zgjidhje të menjëhershme.
“Deri në riregjistrimin e fundit, në konkurrencën e meshkujve ishin regjistruar 44,996 futbollistë. Pas riregjistrimit, numri i futbollistëve meshkuj është 14,210. Në periudhën e ardhshme do të përcaktohet numri i saktë në konkurrencën e femrave. Ky nuk është një gabim i vogël. Ky është manipulim sistemik. Me Statutin e ri, kjo merr fund. Mjaft me klube që ekzistojnë vetëm në letër. Mjaft me procesverbale të rreme. Mjaft me sistem fiktiv. Ajo që po bëjmë nuk është kozmetikë. Ky është një tranzicion. Nga një sistem pa kontroll, në një sistem me rregulla. Nga trillimi, në realitet“, ka thënë mes tjerash Omeragiç.
Ai gjithashtu kritikoi menaxhimin e mëhershëm financiar, duke zbuluar se vetëm në një muaj (nëntor-dhjetor 2024) janë shpenzuar rreth 5 milionë euro nga fondet për zhvillimin e futbollit. Sipas tij, tashmë janë ndërmarrë masa konkrete për uljen e shpenzimeve, ku vetëm në udhëtime dhe akomodim është kursyer mbi një milion euro.
Në fund, Kuvendi miratoi unanimisht edhe raportet vjetore të punës së drejtuesve, organeve mbikëqyrëse dhe administratës së FFM-së për vitin 2025, si dhe raportin mbi zbatimin e planit strategjik 2021-2025. /Telegrafi/