Michael Olise po kalon një sezon të jashtëzakonshëm që e ka vendosur në mesin e kandidatëve potencialë për ‘Topin e Artë’.
Anësori francez, i cili aktualisht luan për Bayern Munich, ka qenë një nga lojtarët më vendimtarë në Evropë këtë edicion, duke kontribuar në plot 44 gola – 16 gola dhe 28 asistime.
Këto shifra e vendosin atë mes më të mirëve në kontinent, në nivel të njëjtë me Kylian Mbappé për kontribute në gola, ndërsa vetëm Harry Kane ka bërë më shumë.
“Ai është ndoshta anësori më i mirë në botë tani. Ai ofron një sërë cilësish të klasit të lartë”, tha ish-lojtari i Real Madridit, Sami Khedira për ‘ Bild’.
Për më tepër, Olise është aktualisht asistuesi më i mirë në Evropë, ndërsa në Ligën e Kampionëve ndan vendin e parë për asistime me Vinícius Júnior.
Pavarësisht kësaj forme të jashtëzakonshme, vetë lojtari qëndron i përulur: “Është mirë t’i dëgjosh këto, por unë jam i përqendruar te skuadra dhe te fitimi i titujve”.
Nga Reading te maja e Evropës
Rritja e tij e shpejtë ka rrënjë te Reading FC, ku shpërtheu nën drejtimin e trajnerit Veljko Paunovic. Në sezonin 2020/21, Olise – atëherë vetëm 18 vjeç – regjistroi 7 gola dhe 12 asistime në Championship, duke u shndërruar menjëherë në një nga lojtarët kyç të ekipit.
“Ai ishte një nga lojtarët kryesorë që në moshë shumë të re. Ia dhamë mundësinë sepse e meritonte dhe sepse kishim besim të madh tek ai”, deklaroi ish trajneri i tij.
Që nga atëherë, rritja e tij nuk është ndalur. Si i ri ai ishte zhvilluar në akademitë e klubeve si Arsenal, Chelsea dhe Man City, ndërsa te Cryal Palace, pastaj fitoi vëmendjen e shumë klubeve.
Krahasimet me legjendat
Stili i lojës së Olise ka sjellë krahasime me emra të mëdhenj të futbollit. Drejtori sportiv i Bayernit, Max Eberl, e krahason me Arjen Robben për elegancën dhe lëvizjet në fushë.
Ndërkohë, trajneri Vincent Kompany sheh ngjashmëri me Kevin De Bruyne për mënyrën e goditjes, driblimit dhe përdorimit të të dyja këmbëve.
“Më pëlqente të shihja Robben dhe Ribéry kur isha i vogël, por unë jam Michael”, deklaroi francezi me vetëbesim.
Transferimi i tij te Bayern Munich në vitin 2024 për rreth 53 milionë euro e konfirmoi statusin e tij si një nga talentet më të mëdha në Evropë. Me kontratë deri në vitin 2029 dhe pa klauzolë largimi, klubi gjerman nuk ka ndërmend ta lëshojë lehtë.
Presidenti nderi Uli Hoenessu shpreh qartë: “Nuk ka kuptim të fitosh para nga shitja e tij nëse skuadra dobësohet”.
– YouTube www.youtube.com
Partner i ri i Mbappé te Franca
Në kombëtaren franceze, Olise po krijon një partneritet të ri me Mbappé. Dy lojtarët kanë luajtur 12 ndeshje së bashku dhe tashmë po shihen si një dyshe e rëndësishme për të ardhmen e “Les Bleus”.
Madje, shoku i skuadrës Eduardo Camavinga bëri shaka për përballjet e ardhshme:
“I thashë Olises që jemi ende miq, por pas dy javësh do ta ‘vras’ në fushë nëse duhet”, deklaroi ylli i Real Madrid.
Këtë përballje mes Real Madridit dhe Bayern Munich, mund ta ndiqni sot, ku shumë yje të mëdhenj do të jenë në fushë. /Telegrafi/