Oftalmologu Nadi Rustemi, është i ftuari i radhës në emisionin PodGo në Telegrafi Maqedoni, me të cilin kemi diskutuar për sëmundjet e syve, si dhe mbrojtjet nga to. Ai tha se teknologjia është problemi më i theksuar, i cili sot dëmton sytë e njerëzve.
Oftalmologu Rustemi tha se ka pasur rast kur një 3-vjeçar është diagnostikuar me dioptri -13. Ai u bëri thirrje prindërve që të jenë të kujdesshëm dhe të kufizojnë kohën e përdorimit të pajisjeve teknologjike nga fëmijët e tyre.
“Teknologjia e bënë të vetën. Problemi më i madh është tek fëmijët e vegjël, të cilët shumë i përdorin pajisjet teknologjike. Kam pasur fëmijë të moshës 3-vjeçare i cili është ballafaquar me dipotri -13. Pasojat janë të mëdhaja. Varësisht problemeve dhe reagimit në kohë, këto probleme mund të anashkalohen, por tek ne e dijmë se prindërit i sjellin vonë dhe janë shumë problematike. Syri do dritë shumë, është e keqe që natën të përdoren pajisjet teknologjike”, tha oftalmologu Rustemi.
Sa i përket sëmundjeve më të përhapura të syve në rajonin e Pollogut, ai tha se në shumicën e rasteve janë miopia dhe hipermetropia.
“Në shumicën e rasteve janë miopia dhe hipermetropia. Presbiopia është sëmundje e përhapur te moshat e vjetra. Ndërsa sëmundjet tjera mund të jenë të fituara, por edhe të lindura. Ka raste kur të rinjtë nuk janë të vetëdijshëm për shikimin e tyre”, tha Rustemi.
E pyetëm për diellin, ai tha se është i shëndetshëm për sytë, por duhet mbrojtje.
“Dielli është i shëndetshëm për sy, por në momentet kur na pengon, duhet të përdorim syzet. Duhet të kemi parasysh se ku i blejmë syzat. Gjithmonë u them pacientëve se nëse blejnë veshje për këmbët të shtrenjta, sa duhet të paguajnë për sytë”, tha Rustemi.
Ai bëri thirrje që kontrollet për sytë të jenë të rregullta dhe të vazhdueshme./Telegrafi/