Oda Ekonomike e Kosovës duke parë trendin e rritjes së çmimeve të naftës në Evropë për shkak të zhvillimeve të fundit gjeopolitike bën thirrje për ndërhyrje të menjëhershme fiskale për të mbrojtur bizneset dhe qytetarët e Republikës së Kosovës.
OEK thekson se rritja e çmimeve të derivateve të naftës ka një ndikim të drejtpërdrejtë në inflacion, duke rritur kostot e prodhimit dhe duke ulur standardin e jetesës së qytetarëve, si dhe zhvillimin e përgjithshëm ekonomik.
“Për këtë arsye, Oda Ekonomike e Kosovës propozon që Qeveria të marr masa konkrete fiskale, si uljen e tatimit mbi akcizën për derivatet e naftës dhe lirimin e përkohshëm nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për derivatet e naftës, apo së paku duke ulur normën e Tatimit të Vlerës së shtuar”, thuhet në raport.
OEK thekson se këto masa do të kontribuonin në uljen e çmimeve për bizneset prodhuese dhe qytetarët, duke lehtësuar barrën financiare dhe duke stabilizuar tregun.
“Tatimi mbi vlerën e shtuar është një tatim i konsumatorit dhe i kombinuar me akcizën, i cili ka ndikim të drejtpërdrejtë në çmimin më të ulët final të karburantit.
Vlen të theksohet se masa të ngjashme kanë filluar të zbatohen në disa vende të Bashkimit Evropian dhe të rajonit, me qëllim frenimin e rritjes së mëtejshme të çmimeve, e cila krijon vështirësi për bizneset dhe rrit rrezikun e varfërisë për qytetarët”, thuhet në reagim.
Oda Ekonomike e Kosovës shpreh gatishmërinë për të ofruar ekspertizën e saj në hartimin e politikave fiskale që do të mbështesin zhvillimin ekonomik dhe stabilitetin e tregut në vend. /Telegrafi/