Oda e Inxhinierëve të Kosovës nuk ka mundur ta mbaj kuvendin e rregullt të saj për shkak të mungesës së kuorumit.
Kryetari i Odës së Inxhinierëve të Republikës së Kosovës, Arsim Rapuca, njoftoi se forumi nuk mund të vazhdojë për shkak të mosplotësimit të numrit të nevojshëm të anëtarëve sipas kërkesave ligjore.
“Kuvendi ka kuorum kur në mbledhje marrin pjesë më shumë se gjysma e anëtarëve, kjo do të thotë që sipas ligjit të urdhrave neni 12 paragrafi 1 Për me pas kuorum me vazhdu punimin duhet ti kemi në sallë 427 anëtarë, në bazë të numrit të identifikimit nga administrata del që ne kemi 348 anëtarë, nuk kemi kuorum për vazhdim, ne nuk mundemi me vazhdu, në bazë të ligjit do të shohim mënyrën e organizimit herën tjetër, ose pas një kohe do ju thërrasim edhe një herë. Këtu kush e ka marrë ligjin që të gjithë anëtarët e licensum me qenë pjesë e kuvendit, do të shohim të punojmë me një mënyrë që ta ndryshojmë ligjin”, theksoi Rapuca.
Përndryshe, në këtë kuvendi ishte paraparë të prezantohet raporti vjetor, si dhe të diskutohet për zbatimin e planit vjetor të punës, ngritjen e kapaciteteve institucionale të odës, licencimin dhe rregullimin e profesionit në fushën e ndërtimit, digjitalizimin e shërbimeve dhe bashkëpunimet ndërinstitucionale dhe përgatitjen e akteve të brendshme.