Luis Enrique doli para mediave në prag të ndeshjes së së martës mes PSG-së dhe Bayern Munich, e vlefshme për gjysmëfinalen e parë të Ligës së Kampionëve, që luhet në “Parc des Princes” nga ora 21:00.
Trajneri spanjoll u shfaq i bindur dhe ambicioz, duke theksuar se kampionët në fuqi synojnë ta rikthejnë trofeun sërish në Paris.
“Sa i përket qëndrueshmërisë, Bayerni mund të jetë pak përpara nesh sepse humbën vetëm dy ndeshje. Por, sa i përket asaj që kemi treguar, nuk ka ekip më të mirë se ne. Edhe kur humbëm dhe ramë nga tetëshja e parë, e thashë: nuk ka ekip më të mirë se ne”, deklaroi Luis Enrique.
Ai nuk dha sinjale të qarta për formacionin, sidomos për përzgjedhjen në mesfushë, por u shpreh se të gjithë lojtarët janë gati dhe vendimi do të merret me synimin e vetëm, fitoren.
“Do t’i zgjedh rastësisht, do ta bëj kështu”, tha ai me humor duke imituar një rrotë rulete. “Janë të gjithë gati dhe jam shumë i lumtur. Pavarësisht se cilët lojtarë luajnë nesër, do të vendos në fushë më të mirët për ta fituar ndeshjen”.
Vlerësim për Kompanyn dhe Bayernin
Luis Enrique pati fjalë pozitive edhe për trajnerin e Bayernit, Vincent Kompany, si dhe për stilin e lojës së bavarezëve.
“Më pëlqejnë të gjithë lojtarët e Bayernit, jo vetëm Olise. Vincent Kompany është një trajner i nivelit të lartë dhe e ka dëshmuar këtë në Angli. Që në fillim e pamë se çfarë lloj ekipi do të ndërtonte. Bayerni është një nga skuadrat që më pëlqen më shumë ta shikoj, sepse ata luajnë gjithmonë futboll sulmues”, u shpreh ai.
PSG dhe ambicia evropiane
I pyetur nëse PSG tashmë mund të quhet një fuqi e madhe evropiane, Luis Enrique ia la këtë gjykim mediave, por theksoi se ekipi po kalon një periudhë të mirë dhe se synimi është të shkojë edhe më larg.
“Varet nga ju ta thoni. Ne po e shijojmë këtë moment dhe mendoj se e kemi merituar. Në disa raste më parë nuk na buzëqeshi fati, por këtu duhet të jemi shumë ambiciozë dhe duam të shkojmë pak më tej”, tha ai, duke kujtuar edhe eliminimin e kaluar ku ekipi pati shumë raste, por nuk ia doli.
Çelësi i ndeshjes
Për Luis Enrique, përballja me Bayernin do të vendoset te balanca mes efikasitetit në sulm dhe disiplinës në mbrojtje.
“Nëse ke sulme shumë efektive, duhet të dish si të mbrohesh. Ky do të jetë çelësi: t’i shfrytëzosh sa më mirë rastet dhe të dish si të mbrohesh ndaj ekipeve të këtij niveli”, përfundoi ai.
Sa i përket përgatitjes para ndeshjes, trajneri tregoi se në takime të tilla nuk ka nevojë për motivim shtesë, por për qetësi dhe ekuilibër.
“Kur luan një gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, nuk ke nevojë të të motivojnë. Përkundrazi, duhet të qetësosh. Bëhet fjalë për gjetjen e ekuilibrit”, deklaroi ai. /Telegrafi/