Mini-kopshti në prag të dritares është mënyra më e lehtë për të pasur erëza të freskëta, për të përmirësuar shijen e ushqimit dhe për t’i dhënë shtëpisë më shumë gjallëri – pa shpenzime të mëdha dhe pa hapësirë shtesë
Ajo që dikur ishte e rezervuar për oborre dhe shtëpi pushimi, sot po zhvendoset në banesa. Në pragjet e dritareve, mes filxhanit të kafes dhe librit që e lini gjithmonë “për më vonë”. Kultivimi i bimëve aromatike nuk është më luks, por një mënyrë e thjeshtë për të pasur diçka të gjallë, tuajën dhe të dobishme, në majë të dorës.
Nuk është çështje parash, por drite
Në pamje të parë duket si gjëja më e lehtë në botë. Blini një vazo, mbillni një bimë dhe prisni. Por realiteti është pak më ndryshe. Problemi më i madh në banesa nuk është toka, as uji, por drita.
Bimëve aromatike u nevojiten minimum pesë deri në gjashtë orë diell direkt në ditë. Prandaj dritaret e orientuara nga jugu ose jugperëndimi janë zgjedhja më e mirë. Nëse kjo mungon, bimët do të mbijetojnë, por nuk do të zhvillohen si duhet.
Në këtë rast, shumë njerëz sot përdorin llamba të vogla LED për bimë. Nuk janë të shtrenjta dhe bëjnë një ndryshim të madh. Dhe këtu shihet diçka interesante: edhe kur përpiqemi t’i kthehemi natyrës, përsëri përdorim teknologjinë për ta arritur këtë, transmeton Telegrafi.
shutterstock telegrafi.com
Filloni thjesht, pa e komplikuar
Gabimi më i shpeshtë i fillestarëve është që duan gjithçka menjëherë. Shumë bimë, shumë vazo, shumë pritshmëri. Por e vërteta është shumë më e thjeshtë, filloni nga ajo që përdorni realisht.
Qepa e njomë është një nga bimët më falënderuese. Rritet shpejt, është rezistente dhe rinovohet vazhdimisht. Borziloku është një tjetër klasik, i lehtë për t’u rritur, qoftë nga fara apo si bimë e gatshme. Majdanozi kërkon pak më shumë durim, por me dritë të mjaftueshme rritet pa problem.
Trumza dhe rozmarina janë histori më vete. Ato i përballojnë edhe kushtet më pak të favorshme, por e duan drenazh të mirë dhe tokë të lehtë, të ajrosur. Nuk kërkojnë shumë, por japin aromë dhe shije të fortë që ndryshon çdo gatim.
Bimët nuk kërkojnë shumë, por kërkojnë vazhdimësi
Një nga keqkuptimet është se ky është një sistem “mbill dhe harro”. Nuk është. Bimët kërkojnë kujdes, por jo atë të lodhshëm, por të rregullt.
Toka duhet të jetë lehtësisht e lagësht, kurrë e mbingopur me ujë. Vazot duhet të kenë drenazh të mirë, sepse uji i tepërt shkatërron shpejt rrënjën. Ujitje e herëpashershme, pak krasitje dhe kontroll nëse gjithçka është në rregull – kjo është e gjithë filozofia.
Dhe këtu vijmë te thelbi. Nuk është vetëm çështja që të keni erëza të freskëta. Është çështja e ritualit. Që çdo mëngjes t’i shikoni ato bimë, të prekni një gjethe, të ndjeni aromën. Që diçka të rritet sepse ju jeni aty.
shutterstock
Një ndryshim i vogël që ndryshon përditshmërinë
Mini-kopshti në dritare nuk e ndryshon jetën rrënjësisht, por e ndryshon përditshmërinë. Ushqimi bëhet më i shijshëm, gatimi më personal, ndërsa hapësira ku jetoni bëhet pak më e gjallë.
Dhe në një kohë kur gjithçka vjen shpejt dhe e gatshme, ka diçka çuditërisht qetësuese në të priturit që diçka të rritet. Të këpusni një gjethe borziloku që e keni rritur vetë, vetëm dy hapa larg sobës.
Nuk është një ndryshim i madh. Por është një nga ato që mbeten. /Telegrafi/