Liridon Leci nuk ishte takuar më parë me kryesinë e FC Lirisë së Prizrenit pas humbjes së thellë ndaj Trepçës ’89 me rezultat 4-1 dhe nuk ishte njoftuar paraprakisht për shkarkimin e tij.
Si panelist i rregullt në emisionin “Dueli Sportiv” në RTV Dukagjini, Leci u shpreh se nuk kishte marrë ende ndonjë përgjigje nga kryesia e klubit.
“Nuk kam asnjë përgjigje akoma nga kryesia, përgjegjësitë i marr unë për humbjen…”, deklaroi trajneri.
Gjatë emisionit, klubi reagoi me një komunikatë për media, ku njoftohej largimi i tij nga posti i trajnerit të ekipit të parë.
“Klubi i Futbollit FC Liria njofton se trajneri i ekipit të parë, Liridon Leci, është larguar nga drejtimi i skuadrës. FC Liria shpreh mirënjohjen më të thellë për përkushtimin, punën e palodhur, kontributin dhe profesionalizmin që trajneri Leci ka treguar gjatë gjithë periudhës së tij në klub. I urojmë suksese të shumta në të ardhmen, si në aspektin personal, ashtu edhe në karrierën profesionale. Në ditët në vijim, klubi do të njoftojë mbi hapat e mëtejshëm në drejtimin e skuadrës”, thuhej në komunikatë.
Kjo lëvizje e klubit prizrenas u konsiderua joprofesionale nga palenistët e tjerë të emisionit, Faruk Statovci dhe Muhamet Dragusha.
Gjatë transmetimit të emisionit u shfaq edhe një fotografi ku shihej Ismet Munishi me një nga drejtuesit e klubit, duke sugjeruar se ai tashmë ka arritur marrëveshje për të marrë drejtimin e Lirisë në vend të Lecit.
Aktualisht, Liria mbetet në vendin e gjashtë në renditjen e Superligës me 36 pikë, pesë më pak se lideri Vushtrria, ndërsa para saj janë edhe Vëllaznimi, Feronikeli ’74, Trepça ’89 dhe Dinamo. /Telegrafi/