Noa Lang ka thyer heshtjen pasi pësoi një nga dëmtimet më të rënda dhe tronditëse në historinë e Ligës së Kampionëve të mërkurën në mbrëmje.
Lang u aktivizua nga banka për të zëvendësuar Victor Osimhen në pjesën e dytë të ndeshjes së kthimit të fazës së 1/8-ave në ‘Anfield’, pasi sulmuesi nigerian kishte pësuar një dëmtim në dorë gjatë një përplasjeje me Ibrahima Konaté.
Megjithatë, reprezentuesi holandez u detyrua të largohej nga fusha me barelë në minutat e fundit të humbjes 4-0, pas një dëmtimi të pazakontë në gisht.
Incidenti ndodhi kur ai u përplas për herë të dytë me tabelat reklamuese në krahun e majtë, duke përjetuar dhimbje të mëdha deri në atë pikë sa iu desh oksigjen gjatë trajtimit mjekësor.
Shqetësimi ishte i dukshëm tek të gjithë lojtarët në fushë, përfshirë edhe kapitenin e Holandës, Virgil van Dijk.
Galatasaray publikoi një deklaratë zyrtare ku konfirmoi se Lang kishte pësuar një “çarje serioze në gishtin e madh të dorës së djathtë” dhe se do t’i nënshtrohej ndërhyrjes kirurgjikale.
“Lojtari ynë Noa Lang ka pësuar një prerje serioze në gishtin e madh të dorës së djathtë dhe pritet të operohet në Liverpool në orët në vijim, në praninë e ekipit tonë mjekësor”, kishte deklaruar klubi turk përmes një njoftimi zyrtar.
Më pas, vetë lojtari dha një përditësim pozitiv për gjendjen e tij duke shkruar: “Operacioni shkoi mirë! Faleminderit për të gjitha mesazhet”./Telegrafi/