Njësia e parë e “dronëve kamikazë” të Pentagonit është gati të marrë pjesë nëse presidenti Donald Trump vendos të nisë sulme ndaj Iranit, sipas zyrtarëve dhe analistëve amerikanë.
Njësia e dronëve njihet si Task Force Scorpion dhe evoluoi nga një njësi eksperimentale ushtarake amerikane me dron tani është gati për operacione, tha zëdhënësi i Komandës Qendrore të SHBA-së, Kapiten Tim Hawkins, në një deklaratë me email, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
“Ne e krijuam skuadriljen vitin e kaluar për të pajisur me shpejtësi luftëtarët tanë me aftësi të reja dronësh luftarakë që vazhdojnë të evoluojnë”, tha ai.
Njësia e dronëve sulmues me një drejtim është tani pjesë e grumbullimit më të madh ushtarak rajonal të SHBA-së që nga pushtimi i Irakut në vitin 2003, i cili u urdhërua nga Trump për të ushtruar presion mbi Iranin në negociata rreth programit të tij bërthamor.
Siç theksohet më tej, një nga dronët e njësisë u testua me sukses dhe u lansua në Gjirin Persik në mesin e dhjetorit, nga kuverta e fluturimit të USS Santa Barbara, një nga anijet luftarake bregdetare në rajon sot si pjesë e armatës amerikane.
Kujtojmë se bisedimet midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit kanë bërë “përparim të konsiderueshëm” të enjten në Gjenevë, dhe diskutimet teknike mbi programin bërthamor të Iranit janë caktuar për javën e ardhshme në Vjenë, tha ministri i Jashtëm i Omanit, Badr Albusaidi.
Albusaidi, i cili ka ndërmjetësuar diskutimet, tha në një postim në X se bisedimet “do të rifillojnë së shpejti pas konsultimeve në kryeqytetet përkatëse”.
Albusaidi gjithashtu shkroi në postim se është “mirënjohës ndaj të gjithë të interesuarve për përpjekjet e tyre: negociatorëve, (Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike) dhe pritësve tanë, qeverisë zvicerane”.
Negociatat bërthamore midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit rifilluan në Gjenevë të enjten, takimi i tretë i ndërmjetësuar nga Omani që nga rifillimi i bisedimeve në fillim të këtij muaji.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dëshiron një marrëveshje për të kufizuar programin bërthamor të Iranit dhe ka mbledhur një flotë avionësh dhe anijesh luftarake në Lindjen e Mesme për të ushtruar presion mbi Teheranin për një marrëveshje.
Trump ka kërkuar ndalimin e plotë të pasurimit të uraniumit nga Irani, si dhe adresimin e programit të raketave balistike të Teheranit dhe mbështetjen e tij për përfaqësuesit rajonalë si Hamasi, Hezbollahu dhe Huthët e Jemenit.
Në anën tjetër, Teherani ka këmbëngulur që bisedimet duhet të mbeten të përqendruara vetëm në çështjet bërthamore.
Irani më parë ka thënë se të gjitha bazat ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme do të konsideroheshin objektiva legjitime në rast të ndërhyrjes së Uashingtonit.
Irani gjithashtu ka kërcënuar të sulmojë Izraelin, që do të thotë se një luftë rajonale mund të shpërthejë përsëri në të gjithë Lindjen e Mesme. /Telegrafi/