Një polemikë e madhe shënoi pjesën e parë të ndeshjes midis Real Madridit dhe Getafes në La Liga, ku Antonio Rüdiger ishte protagonist i një episodi të diskutueshëm.
Rreth minutës së 25-të, lojtari i Getafes, Diego Rico, përfundoi në tokë pranë zonës mbrojtëse pas një dueli me Ardo Gulerin.
Ndërsa përpiqej të ngrihej, Rüdiger e goditi me gjurin e majtë në nofull dhe shpatull. Pavarësisht pamjeve tronditëse, gjyqtari Alejandro Muniz Ruiz nuk akordoi faull dhe nuk pati ndërhyrje nga dhoma e VAR-it.
Gazeta gjermane Bild e përshkroi situatën si “një veprim që thjesht nuk mund të kontrollohet nga mbrojtësi gjerman”.
Sipas tyre, ky nuk është një faull i rëndë zyrtar, por pothuajse një sulm, dhe kjo sjellje e përsëritur e bën të papranueshëm një vend të Rüdiger në Kupën e Botës.
Julian Nagelsmann: Gjermania ka alternativa më të mira
Trajneri i ekipit kombëtar, Julian Nagelsmann, duket se po rishikon rolin e Rudiger në përfaqësuese. Me mbrojtës si Nico Schlotterbeck dhe Jonathan Tah, Gjermania ka dyshe të fortë qendrore dhe nuk ka domosdoshmëri për një lojtar që shpesh humbet kontrollin në situata kufitare.
Edhe pse Rudiger është i respektuar nga shokët e ekipit, mediumi gjerman nënvizon se humbja e kontrollit në mënyrë të përsëritur e bën atë të papërshtatshëm për ndeshjet ndërkombëtare.
Një histori incidentesh
Ky nuk është episodi i parë problematik i Rudiger. Në mars të vitit të kaluar, ai u gjobit me 40,000 euro pas një gjesti kundër Atlético Madrid në Ligën e Kampionëve. Në një finale kupe, ai mori pezullim prej gjashtë ndeshjesh për përpjekjen për të hedhur shirit ngjitës ndaj gjyqtarit.
Në Kupën e Botës të fundit, Rudiger u shfaq provokativ ndaj japonezit Takuma Asano, pak para se Gjermania të humbiste 2-1 dhe të eliminohej nga gara.
Mediumi gjerman e kritikon ashpër Rüdigerin, duke theksuar se një lojtar me sjellje të tillë nuk duhet të jetë pjesë e ekipit kombëtar në turne të mëdha ndërkombëtare. /Telegrafi/