Një javë pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare për Kuvendin e Republikës së Kosovës, procesi i numërimit të votave me postë po vazhdon ende në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).
Sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), deri më tani janë numëruar 23 nga 92 kuti, apo rreth 25 për qind e votave me postë. Procesi po zhvillohet gradualisht dhe rezultatet mbesin ende preliminare.
Nga votat me postë të numëruara deri tani, Lëvizja VETËVENDOSJE! kryeson bindshëm me 69.52 për qind, apo 4,327 vota. Në vendin e dytë renditet Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 11.28 për qind ose 702 vota.
Pas saj vjen Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 9.43 për qind apo 587 vota, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka siguruar 8.13 për qind, përkatësisht 506 vota nga votimi me postë i numëruar deri më tani.
Subjektet e tjera politike kanë marrë një përqindje më të vogël të votave, përfshirë Partinë Liberale Egjiptiane me 0.61 për qind (38 vota) dhe Iniciativën e Re Demokratike e Kosovës (IRDK) me 0.55 për qind (34 vota).
Pesë kandidatët më të votuar sipas subjekteve politike (vota me postë):
Lëvizja VETËVENDOSJE!: Albin Kurti, Glauk Konjufca, Albulena Haxhiu, Hekuran Murati dhe Donika Gëravalla.
Lidhja Demokratike e Kosovës – LDK: Lumir Abdixhiku, Hykmete Bajrami, Ukë Rugova, Kujtim Shala, Avdullah Hoti.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – AAK: Ramush Haradinaj, Daut Haradinaj, Besnik Tahiri, Agim Çeku, Time Kadrijaj.
Partia Demokratike e Kosovës – PDK: Bedri Hamza, Përparim Gruda, Arian Tahiri, Sala Jasha, Ganimete Musliu.
KQZ ka theksuar se këto rezultate janë jo përfundimtare dhe se renditja përfundimtare e subjekteve politike dhe kandidatëve mund të ndryshojë pas përfundimit të plotë të numërimit të votave me postë dhe trajtimit të ankesave eventuale. /Telegrafi/