Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, ka nisur sot takimin konsultativ me përfaqësuesit e partive politike në lidhje me seancën konstituive që pritet të mbahet nesër, më 11 shkurt.
Në këtë takim po marrin pjesë përfaqësues të subjekteve kryesore parlamentare.
Partia Demokratike e Kosovës po përfaqësohet nga Vlora Çitaku dhe Përparim Gruda, Lidhja Demokratike e Kosovës nga Kujtim Shala, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nga Besnik Tahiri.
Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi
Lëvizja Vetëvendosje përfaqësohet nga Albulena Haxhiu.
Po ashtu, në takim janë të pranishëm edhe përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë.
Seanca konstituive e Kuvendit është thirrur pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit.
Presidentja Vjosa Osmani e ka caktuar seancën për 11 shkurt, në orën 12:00, pas konsultimeve me shumicën e partive parlamentare dhe duke marrë parasysh nevojën urgjente për formimin e institucioneve, miratimin e buxhetit dhe ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. /Telegrafi/
Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi