Drejtoria e Hapësirave Publike dhe Parqeve në Komunën e Prishtinë ka nisur realizimin e projektit për ndërtimin e Parkut Sportiv Rekreativ në fshatin Prugovc, investim që synon përmirësimin e kushteve për aktivitete sportive dhe rekreative për banorët e zonës.
Sipas njoftimit të kësaj drejtorie, parku do të krijojë një hapësirë të dedikuar për sport, rekreacion dhe socializim për qytetarët e të gjitha moshave.
“Filluam Parkun Sportiv Rekreativ në fshatin Prugovc i cili është një investim i rëndësishëm për komunitetin dhe për zhvillimin e jetës aktive në zonat rurale të Kryeqytetit”, thuhet në njoftim.
Nga Drejtoria e Hapësirave Publike dhe Parqeve bëhet e ditur se ky projekt do t’u ofrojë fëmijëve një hapësirë të sigurt për lojë dhe aktivitet fizik, ndërsa të rinjtë do të kenë mundësi të angazhohen në aktivitete sportive. Po ashtu, familjet dhe të moshuarit do të mund të kalojnë kohë cilësore në një ambient të gjelbër dhe të përshtatshëm për rekreacion.
Sipas komunës, ndërtimi i parkut pritet të ndikojë edhe në promovimin e një stili të shëndetshëm të jetesës, forcimin e lidhjeve komunitare dhe zhvillimin e hapësirave publike në fshatrat e kryeqytetit.
“Investime të tilla tregojnë se zhvillimi nuk ndalet vetëm në qendër të qytetit, por shtrihet edhe në fshatra, duke u ofruar banorëve më shumë mundësi për aktivitet, relaks dhe jetë më cilësore”, thuhet më tej në njoftim. /Telegrafi/