Ka nisur në Hagë faza përfundimtare e gjykimit ndaj ish-udhëheqësit të UÇK-së, Hashim Thaçi dhe të tjerëve, për krime të luftës dhe kundër njerëzimit gjatë luftës në Kosovë.
Prokurorja e Zyrës së Prokurorit Special (ZPS), Kimberly West po vazhdon me parashtrimin e deklaratave përmbyllëse, ku theksoi se pavarësisht frikës dhe stigmatizimit me të cilin janë përballur dëshmitarët dhe familjet e tyre, ata kanë vendosur të zbardhin drejtësinë.
“”Pavarësisht frikës, stigmës dhe situatave me të cilat janë përballur dëshmitarët dhe familjarët e tyre nga një grup i kufizuar, por me zë, në Kosovë, këta dëshmitarë e kanë dëshiruar kaq shumë të vërtetën që të dalë në pah, prandaj pavarësisht kësaj kanë përzgjedhur të bashkëpunojnë me zyrën time dhe të japin dëshmi para kësaj gjykate”, tha prokurorja.
Prokurorja ka theksuar se mbi 100 persona janë vrarë dhe qindra të tjerë janë abuzuar në rreth 50 plus kampe ndalimi të UÇK-së, duke përfshirë persona të lidhur me LDK-në, komunitetin rom dhe serb.
“Dëshmitarët dhe provat tregojnë se këto krime janë kryer dhe se të akuzuarit mbajnë përgjegjësi ligjore për to,” shtoi Prokurorja.
Prokurorja bëri të qartë se kërkesa e ZPS-së për dënim është e fokusuar te personat konkretë, jo te shtabi i përgjithshëm:
“Ne kërkojmë dënimin e personave konkret, jo të shtabit të përgjithshëm. ZPS-ja kërkon vendim dënimi për të gjitha pikat e aktakuzës dhe vendosjen e një vendimi të vetëm prej 45 viteve, mbështetur për kontributet individuale të krimeve të kryera nga secili prej të akuzuarve. Këto krime janë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”, tha ajo.
Prokurorja theksoi gjithashtu se janë dëgjuar dëshmitarë ndërkombëtarë dhe anëtarë të UÇK-së, ndërsa 7 dëshmitarët e mbrojtjes kanë pasur informacion të kufizuar për aktivitetet e UÇK-së dhe nuk kanë mundur të flasin në të njëjtën gjuhë në atë kohë.
Deklaratat përmbyllëse janë planifikuar të mbahen gjatë periudhës 9-18 shkurt, ku fillimisht fjalën do ta ketë Prokuroria, për t’u pasuar nga ekipet mbrojtëse të të akuzuarve, ndërsa në fund pritet edhe fjala e të akuzuarve, nëse ata vendosin të deklarohen.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, po përballen me akuza të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të cilat ata i kanë cilësuar si të pabazuara. Edhe mbrojtja i ka hedhur poshtë këto akuza dhe ka argumentuar se UÇK-ja nuk kishte strukturë të organizuar komanduese.
Gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023 – gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Seancën live mund ta ndiqni KËTU. /Telegrafi/