Nga nuancat neon te tonet shumë të errëta, ekspertët paralajmërojnë për zgjedhje që e bëjnë hapësirën jo funksionale dhe vizualisht të rënduar
Rinovimi i kuzhinës mund të jetë një proces i madh dhe shpesh i kushtueshëm. Megjithatë, një nga vendimet më të rëndësishme që duhet marrë është zgjedhja e ngjyrës së duhur. Qoftë për muret apo elementet e kuzhinës, përzgjedhja e gabuar mund të ndikojë drejtpërdrejt në atmosferën e hapësirës dhe madje t’ju detyrojë të bëni ndryshime të reja pas një kohe të shkurtër.
Zgjedhja e ngjyrave në kuzhinë nuk është vetëm çështje shijeje, por edhe funksionaliteti dhe harmonie. Ngjyrat neutrale dhe të buta mbeten zgjedhja më e sigurt, ndërsa tonet e forta mund të përdoren me masë për të krijuar thekse pa e rënduar hapësirën.
Sipas dekoratorëve profesionistë dhe këshillave të publikuara nga Real Simple, disa ngjyra duhet të shmangen pothuajse gjithmonë në kuzhinë, transmeton Telegrafi.
Nuancat neon
Edhe pse shumë trende nga vitet ’80 dhe ’90 janë rikthyer, jo të gjitha janë të përshtatshme për çdo ambient. Dizajnerja e brendshme Amy Switzer thekson se ngjyrat neon janë ndër zgjedhjet më problematike për kuzhinën. Ato janë të vështira për t’u kombinuar me pjesët e tjera të hapësirës dhe shpesh krijojnë një pamje të çrregullt. Në vend që të përdoren në mure apo dollapë, këto ngjyra mund të kufizohen vetëm në detaje të vogla dekorative, si aksesorë apo tekstile.
Ngjyrat shumë të errëta
Kuzhina nuk është ambienti ideal për tone shumë të errëta. Këto ngjyra mund ta bëjnë hapësirën të duket më e vogël, më e rënduar dhe më pak mikpritëse. Përveç kësaj, sipërfaqet e errëta nxjerrin më shumë në pah gërvishtjet dhe papërsosmëritë. Nëse preferoni ngjyra të tilla, është më mirë t’i përdorni në elemente të kufizuara, si p.sh. pllakat e punës, dhe jo në mure apo dollapë.
Ngjyrat shumë të ndezura dhe të ngopura
Një nga sfidat kryesore në dizajnin e brendshëm është krijimi i një harmonie të rrjedhshme nga një dhomë në tjetrën. Ngjyrat shumë të forta dhe të ngopura e vështirësojnë këtë proces, pasi mund të dominojnë hapësirën dhe të shpërqendrojnë nga një estetikë e balancuar. Ekspertët rekomandojnë që, nëse ju pëlqejnë tonet e gjalla, t’i përdorni në detaje si pajisje të vogla, pjata apo aksesorë, dhe jo si bazë kryesore e kuzhinës. /Telegrafi/