Fustanet ikonike të Oskarëve, si ato të Audrey Hepburn, Grace Kelly dhe Jennifer Lawrence, janë bërë legjenda të modës dhe vlejnë miliona dollarë. Paraqitjet e pazakonta, si fustani-mjellmë i Bjork, smokingu përmbys i Celine Dion apo stili shtatzënë i Rihanna, kanë lënë gjurmë të paharrueshme
Glamuri i Hollywood-it nuk zbehet dhe nuk ka stuhi që mund ta lërë në hije tapetin e kuq të ndarjes së Oskarëve. Garat për krijimin më të bukur ose më ekstravagant janë bërë po aq emocionuese sa edhe vetë gara për “djaloshin e artë”, ndërsa ndonjëherë fustanet lënë përshtypje edhe më të fortë se vetë fituesit.
Nga eleganca e përjetshme, te fustanet “fatkeqe” me vlerë disa milionë dollarë, e deri te zgjedhjet e modës që na kanë bërë të pyesim, çfarë menduan vallë, në prag të ndarjes së Oskarëve 2026 ju sjellim një përmbledhje të plotë të modës së Oskarëve! – transmeton Telegrafi.
Momentet vezulluese të Oskarëve 2025: Rikthimi i shkëlqimit të dikurshëm
Vitin e kaluar yjet shfrytëzuan rastin për të treguar paraqitjet e tyre më të mira me tualete mahnitëse. Edhe pse nuk ishte e vështirë të parashikohej se Ariana Grande dhe Cynthia Erivo do të shkëlqenin në ngjyrë rozë dhe jeshile, ato me zgjedhjet e tyre të modës na lanë pa frymë. Ariana dominoi me një fustan skulptural të Schiaparelli, ndërsa Cynthia veshi një krijim prej kadifeje të shtëpisë Louis Vuitton.
Ariana Grande
Nga ana tjetër, Elle Fanning u dha të gjithëve një mësim stili duke parakaluar me dizajnin e parë të Sarah Burton për Givenchy, të frymëzuar nga krijimet e vitit 1952, ndërsa pamjen e saj jashtëzakonisht të sofistikuar e plotësoi me një gjerdan madhështor Cartier nga viti 1958.
Elle Fanning
Paraqitjet më të shtrenjta dhe më të bukura ndonjëherë: Miliona në tapetin e kuq
Për shkëlqimin e përjetshëm të tapetit të kuq më së shumti janë përgjegjëse divat e “epokës së artë të Hollywood-it”. Tualeti i bardhë me motive lulesh i mjeshtrit të modës Hubert de Givenchy, të cilin Audrey Hepburn e veshi në vitin 1954, u bë ikonë e Oskarëve dhe në vitin 2011 u shit në ankand për më shumë se 131.000 dollarë.
Audrey Hepburn
Vetëm një vit më vonë, Grace Kelly veshi një fustan të mrekullueshëm blu-jeshil prej sateni francez me vlerë 4.000 dollarë, duke vendosur rekordin e kohës.
Grace Kelly
Në antologjinë e sukseseve të modës së kohëve më të reja u regjistruan edhe Gwyneth Paltrow me fustanin romantik rozë të Ralph Lauren (1999), paraqitja sensuale e Halle Berry me firmën Elie Saab (2002), por edhe fustani i famshëm i zi Versace i Angelina Jolie nga viti 2012, me një prerje të thellë përmes së cilës aktorja nxori këmbën për fotografët dhe e vuri botën në ekstazë.
Gwyneth Paltrow
Gwyneth Paltrow
Angelina Jolie
Po cili është fustani më i shtrenjtë i të gjitha kohëve? Titullin e mban tualeti “fatkeq” që për shtëpinë Dior e krijoi Raf Simons dhe që e veshi Jennifer Lawrence në vitin 2013. Ky fustan madhështor i stilit të ballos kushtonte plot 4 milionë dollarë! Megjithatë, pjesa e madhe e poshtme i shkaktoi telashe aktores së bukur, e cila u pengua dhe ra në shkallë teksa po shkonte të merrte çmimin.
Jennifer Lawrenc
Paraqitjet tepër të shtrenjta nuk përfundojnë këtu, fustani i gjelbër spektakolar Dior i Nicole Kidman kushtoi dy milionë dollarë, ndërsa tualeti Armani Privé me të cilin Cate Blanchett shkëlqeu (sepse ishte i mbushur me kristale Swarovski) vlente 200.000 dollarë.
Nicole Kidman
Cate Blanchett
Burrë me fund, shtatzënë dhe mjellmë: Paraqitjet më të çmendura dhe më bizare
Megjithatë, çfarë do të ishte Hollywood-i pa një dozë çmendurie të plotë? Për paraqitjen e Cher nga viti 1986 do të flitet me shekuj, ndërsa dizajni i Bob Mackie hapi rrugën për koleget për paraqitje “shik dhe shok”.
Cher
Titullin e fustanit më absurd në histori pa dyshim e mban krijimi i këngëtares Bjork nga viti 2001, ajo kishte veshur një “mjellmë” të vërtetë, koka e së cilës i varej mbi gjoks, ndërsa në tapetin e kuq bëri një skenë duke u shtirur sikur po bënte vezë.
Bjork
Pak kush mund ta harrojë edhe divën e popit Celine Dion, e cila në vitin 1999 na la pa fjalë me smokingun e bardhë Dior, por të veshur përmbys! As gjithmonë sensacionale Lady Gaga nuk i shpëtoi kritikave kur në vitin 2015 fustanin perfekt klasik Alaïa e prishi me doreza të kuqe që dukeshin sikur kishte shkuar të lante enët.
Rihanna
Kontroversat e ndoqën edhe stilin jashtëzakonisht të guximshëm të shtatzënisë së divës r’n’b Rihanna me detaje lëkure nga viti 2023, si dhe krijimin “të çuditshëm” me ngjyra të forta me të cilin Whoopi Goldberg u shfaq në vitin 1993 dhe përfundoi në listën e më të veshurave më keq ndonjëherë.
Whoopi Goldberg
Nga ana tjetër, rregullat e modës i rrëzoi në vitin 2019 aktori Billy Porter, duke ua marrë yjeve titullin e më të veshurit më mirë me një kombinim të pabesueshëm që në pjesën e sipërme ishte kostum mashkullor, ndërsa nga beli e poshtë, fustan madhështor i stilit të ballos.
Billy Porter
/Telegrafi/