Neuropsikiatri Bujar Berisha, gjatë podcastit “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital, ka folur për faktorët që ndikojnë në varësinë nga droga, duke theksuar se përtej sjelljes së jashtme dhe ndikimit social, ekzistojnë mekanizma më të thellë biologjikë dhe psikologjikë që e shtyjnë individin drejt përdorimit të substancave narkotike.
Sipas tij, në shoqëri zakonisht vërehet vetëm sjellja e individit – kush po e përdor dhe kush po e lë drogën – por rrallëherë analizohet thelbi i problemit.
“Ne zakonisht e shohim sjelljen ose faktorin social që ndikon te individi, ndërsa faktorët më bazikë janë ata psikologjikë dhe biologjikë”, ka thënë Berisha.
Berisha ka shpjeguar se në aspektin biologjik, brenda trurit ekzistojnë substanca natyrore që ndikojnë në menaxhimin e dhimbjes dhe mirëqenies emocionale.
Sipas tij, organizmi ynë prodhon substanca të ngjashme me heroinën, të cilat ndihmojnë në lehtësimin e dhimbjeve, përfshirë ato të kyçeve.
Megjithatë, ai thekson se kur heroina merret nga jashtë, truri e ndërpret prodhimin natyror të këtyre substancave.
“Kur e marrim nga jashtë, organizmi ynë e ndërpren prodhimin dhe kërkon nga jashtë, sepse truri është pak dembel. Dhe në momentin kur ndërpritet krijohen ato që i quajmë ‘kriza’ ”, ka shpjeguar ai.
Sipas Berishës, krizat e heroinës konsiderohen ndër më të fortat krahasuar me substancat e tjera narkotike, duke e bërë varësinë nga kjo drogë veçanërisht të vështirë për t’u tejkaluar.
Në aspektin psikologjik, neuropsikiatri thekson se varësia shpesh ndërlidhet me trauma të hershme dhe mungesë të mbështetjes emocionale në familje.
Ai përmendi si faktorë të rëndësishëm traumat e fëmijërisë, mungesën e afeksionit nga prindërit, si dhe mungesën e identifikimit me figurat primare si nëna, babai apo edhe shkolla.
“Krijohet një gjendje konfuziteti te këta njerëz, sidomos në kohën e adoleshencës”, ka thënë Berisha, duke shtuar se kjo periudhë është veçanërisht e ndjeshme për zhvillimin emocional dhe formimin e identitetit.
Për më shumë shikoni të plotë podcastin “Shëndeti në rend të parë”:
– YouTube www.youtube.com