Qentë kanë nevojë për kohë, kujdes dhe përkushtim – jo vetëm dashuri
Jo të gjithë janë të përshtatshëm për të pasur një qen, pavarësisht sa shumë e duan idenë e një kafshe shtëpiake. Qentë kanë nevojë për strukturë, kohë dhe përkushtim afatgjatë, jo vetëm për qëllime të mira. Kur pronarët nuk plotësojnë nevojat e tyre, pasojat shpesh shfaqen në formën e problemeve të sjelljes ose neglizhencës.
Prandaj, para se të vendosni të merrni një kafshë shtëpiake, duhet të mendoni mirë për stilin tuaj të jetesës dhe të zgjidhni racën e duhur sipas mundësive dhe zakoneve tuaja.
1. Duhanpirësit
Duhani pasiv nuk zhduket lehtë, grimcat e tij qëndrojnë në ajër dhe ngjiten në mobile, duke i ekspozuar qentë ndaj toksinave nga të cilat nuk mund të largohen.
Sipas studimeve të Kolegjit Mbretëror Veterinar, qentë që jetojnë me duhanpirës kanë nivele dukshëm më të larta të kotininës në gjak, çka tregon se thithin nikotinë nga duhani pasiv. Kjo rrit ndjeshëm rrezikun për kancer të hundës, sinuseve dhe mushkërive.
2. Personat që udhëtojnë shpesh
Udhëtimet e herëpashershme nuk janë problem, por nëse mungoni shpesh nga shtëpia, të kesh qen mund të mos jetë zgjedhja e duhur.
Qentë nuk e përballojnë mirë vetminë dhe kanë nevojë për kujdes nga persona të njohur. Qëndrimi i shpeshtë në pensione për kafshë mund të jetë përvojë shumë stresuese për ta, shkruan britanikja Express, përcjell Telegrafi.
3. Personat dembelë
Qentë kërkojnë aktivitet fizik të përditshëm, stimulim mendor dhe trajnim të vazhdueshëm. Pronari që shmang shëtitjet, lojën dhe rutinën rrezikon të krijojë një kafshë të frustrueshme dhe destruktive.
Shenjat që një qen nuk po merr mjaftueshëm aktivitet përfshijnë:
- shtim në peshë
- shkatërrim të objekteve
- hiperaktivitet
- lehje të tepërt
4. Personat që nuk i kushtojnë rëndësi ushqimit
Ekspertët paralajmërojnë për pronarët që i ushqejnë qentë pa kriter. Ushqimi i pabalancuar ose mbetjet nga tavolina mund të shkaktojnë obezitet, probleme me tretjen dhe sëmundje kronike.
Qentë kanë nevojë për dietë të balancuar dhe ushqim cilësor.
5. Pronaret neglizhentë
Pavarësisht nëse jetoni në shtëpi me oborr apo në apartament, qentë nuk duhet të lihen jashtë gjatë gjithë ditës. Ata kanë nevojë për kontakt me njerëzit, kujdes dhe mbrojtje.
Kush mendon se një qen mund të lihet vetëm dhe pa vëmendje, nuk është i përshtatshëm për të pasur një kafshë shtëpiake.
Përfundim
Të kesh qen nuk është vetëm kënaqësi – është përgjegjësi e madhe. Para se të merrni një kafshë, duhet të jeni të sigurt se mund t’i ofroni kohë, kujdes dhe përkushtim. /Telegrafi/