Kuvendi sot duhet ta vazhdojë seancën e 85-të, ndërsa në rend dite janë: Propozim-ligji për ndryshimin e Ligjit për veprim me objektet e ndërtuara pa leje, i propozuar nga deputetët e pushtetit, si dhe Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për pagën minimale, i propozuar nga opozita. Të dy ligjet parashikohet të miratohen me procedurë të shkurtuar.
Me ndryshimet në Ligjin për legalizimin e objekteve pa leje, të dorëzuara nga grupi parlamentar i OBRM-PDUKM-së dhe koalicioni, propozohet zgjatje edhe për pesë vjet e afatit për legalizim, përkatësisht ligji të vlejë gjithsej 20 vjet – deri më 3 mars 2031.
Siç sqaroi deputeti Bojan Stojanovski në një konferencë për shtyp javën e kaluar, qëllimi është që qytetarët të mos mbeten me status të pazgjidhur të shtëpive të tyre për shkak të pengesave administrative apo procedurave të ngadalta.
Sipas tij, shumë qytetarë prej vitesh janë të bllokuar në procese gjyqësore për çështje pronësore ose procedura të ndryshme që nuk varen nga ata. Ligji aktual parashihte afat deri më 3 mars 2026, që do të thoshte ndërprerje automatike e mijëra lëndëve që janë në procedurë.