Fëmijët nuk fillojnë të gënjejnë në moshën shkollore – ata e kuptojnë mashtrimin shumë më herët, madje që në muajt e parë të jetës
Një studim ka treguar se rreth një e katërta e fëmijëve fillojnë ta kuptojnë konceptin e mashtrimit që në moshën dhjetë muajshe. Ky numër rritet në gjysmën e fëmijëve deri në muajin e 17-të, ndërsa deri në moshën trevjeçare, fëmijët bëhen më të aftë, më kreativë dhe më të shpeshtë në përdorimin e gënjeshtrës.
Kuptimi i hershëm i mashtrimit
Hulumtimi u realizua nga shkencëtarë të Universitetit të Bristolit në Mbretërinë e Bashkuar dhe u publikua në revistën “Cognitive Development”.
Elena Hoicka, profesoreshë e edukimit në Universitetin e Bristolit dhe autore kryesore e studimit, thekson nga përvoja personale se fëmijët mund të jenë shumë të shkathët në mashtrim.
“Si nënë e tre fëmijëve, e di nga përvoja sa të zgjuar dhe të shkathët mund të jenë. Fshehja nën tavolinë ose në banjë për të ngrënë ëmbëlsira është një taktikë e zakonshme e tyre”, ka thënë Hoicka.
Ajo shton se puna në këtë studim e ndihmoi të kuptojë se si zhvillohet ky fenomen që në moshë shumë të hershme dhe përparon gjatë viteve të para të jetës, transmeton Telegrafi.
Si u realizua studimi
Në këtë hulumtim morën pjesë prindër të më shumë se 750 fëmijëve të moshës nga 0 deri në 47 muaj, nga Mbretëria e Bashkuar, SHBA, Australia dhe Kanadaja.
Rezultatet ishin befasuese: disa prindër raportuan se fëmijët e tyre e kishin kuptuar konceptin e mashtrimit që në moshën tetë muajshe. Po ashtu, u vu re se mashtrimi është një sjellje e shpeshtë – gjysma e fëmijëve që përdorin mashtrim kishin bërë diçka “dinake” brenda 24 orëve të fundit.
Studiuesit identifikuan gjithsej 16 forma të ndryshme të mashtrimit.
Nga fshehja te arsyetimet
Sipas Hoicka-s, rreth moshës dyvjeçare mashtrimi zakonisht shfaqet përmes veprimeve ose reagimeve të thjeshta verbale, si:
- shtirja sikur nuk dëgjojnë prindërit
- fshehja e sendeve
- mohimi (p.sh. fëmija ha çokollatë, por tund kokën kur pyetet)
- Këto mund të zgjerohen në:
- kryerjen e fshehtë të veprimeve të ndaluara
- kërkimin e justifikimeve (p.sh. “duhet të shkoj në tualet” për të shmangur detyrat)
Gënjeshtra më të ndërlikuara në moshën trevjeçare
Deri në moshën trevjeçare, fëmijët fillojnë të përdorin forma më të avancuara të mashtrimit, të lidhura me zhvillimin e gjuhës dhe kuptimin e mendimeve të të tjerëve.
Këtu përfshihen:
- ekzagjerimi (“e hëngra gjithë spinaqin”)
- zvogëlimi i së vërtetës
- trillimi (“fantazma e hëngri çokollatën”)
- shtirja sikur nuk dinë apo nuk kanë parë gjë
- fshehja e informacionit
- shpërqendrimi i vëmendjes (“shiko andej!”)
Një pjesë normale e zhvillimit
Shkencëtarët theksojnë se mashtrimi është një pjesë normale e zhvillimit të fëmijës.
Këto njohuri mund t’i ndihmojnë prindërit dhe edukatorët të kuptojnë më mirë sjelljen e fëmijëve dhe të dinë çfarë të presin në çdo moshë.
“Rezultatet tona mund t’i ndihmojnë të kuptojnë më mirë fëmijët dhe të jenë një hap përpara sjelljeve të tyre”, thotë Hoicka.
Ndërkohë, bashkëautorja e studimit, Jennifer Saul nga Universiteti i Vaterlos, thekson se studime të tilla ndihmojnë për të kuptuar më thellë kompleksitetin e mashtrimit njerëzor që nga fëmijëria. /Telegrafi/