Sulmuesi kosovar Fisnik Asllani po kalon një edicion shumë pozitiv me Hoffenheimin në Bundesligën gjermane.
Deri më tani, 23-vjeçari ka shënuar shtatë gola dhe ka regjistruar gjashtë asistime në 21 paraqitje, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në sukseset e skuadrës së tij.
Forma e mirë e Asllanit nuk ka kaluar pa u vërejtur në Gjermani.
Sipas mediumeve gjermane, për sulmuesin kosovar kanë shprehur interesim dy gjigantë të futbollit gjerman, Bayern Munichu dhe Borussia Dortmundi. Interesimi është konfirmuar të premten edhe nga mediumi T-Online.
Për paraqitjet dhe potencialin e Asllanit ka folur edhe ndihmëstrajneri i Hoffenheimit, Moritz Volz, i cili e ka vlerësuar lart sulmuesin kosovar.
“Fisniku është djalë i jashtëzakonshëm dhe me të vërtetë lojtar fantastik. Kënaqesh duke e parë jo vetëm në ndeshje, por edhe në stërvitje”.
“Megjithatë, prioriteti i tij është që të kalojë formë sa më të mirë në Bundesligë dhe me përfaqësuesen. Më pas do të shohim”.
“Fokusi jonë është që ta vazhdojmë punën me Fisin për potencialin që e ka. Deri tani ka shfaqur potencial të madh për moshën që e ka. Por, ka ende shumë hapësirë për zhvillim dhe për përmirësim”, ka deklaruar Volz.
Hoffenheimin të dielën nga ora 17:30 e pret një sfidë e madhe, pasi luan në udhëtim ndaj Bayern Munichut, skuadrës lidere të Bundesligës.
Vlen të theksohet se Hoffenheimi është i vetmi ekip në Bundesligë që i ka fituar të gjitha ndeshjet gjatë muajit janar, duke konfirmuar formën e lartë në këtë fazë të sezonit./Telegrafi/