Andrew Ranken, bateristi i njohur i grupit The Pogues, ka ndërruar jetë në moshën 72-vjeçare, njoftoi vetë formacioni muzikor.
Ranken ishte një nga anëtarët themelues të grupit me bazë në Londër dhe luajti në disa nga këngët më të famshme të tyre, përfshirë “Fairytale of New York” dhe “Dirty Old Town”.
Në një deklaratë të publikuar online, grupi e përshkroi Ranken si “rrahjen e zemrës së The Pogues”, shkruan BBC.
“Andrew, faleminderit për gjithçka – për miqësinë tënde, zgjuarsinë dhe bujarinë e shpirtit tënd, dhe padyshim për muzikën. Gjithmonë një mik dhe vëlla i vërtetë”, thuhej në mesazhin e grupit. Ata shtuan se mendimet dhe dashuria e tyre janë me familjen e tij në këtë moment të vështirë.
I njohur me nofkën “The Clobberer”, Ranken interpretonte në bateri, perkusion dhe harmonikë, si dhe ka dhënë vokale për The Pogues gjatë viteve të 90-ta dhe 2000.
The Pogues u formuan në vitin 1982, dhe formacioni më ikonik përfshinte këngëtarin Shane MacGowan, basisten Cait O’Riordan, vokalistin dhe flautistin Spider Stacy, banjoistin Jem Finer, fizarmonikistin James Fearnley dhe vetë Andrew Ranken. /Telegrafi/