Policia e Kosovës ka arrestuar një person të kërkuar me disa urdhëresa aktive të gjykatave, gjatë një kontrolli rutinë të zhvilluar më 10 janar 2026, rreth orës 18:00, në Skenderaj.
Sipas njoftimit të Policisë, zyrtarët policorë kanë ndaluar një automjet me targa të Bosnjë e Hercegovinës, ku gjatë verifikimit është konstatuar se personi i ndaluar kishte ndërruar mbiemrin.
Megjithatë, pas verifikimeve të hollësishme, është vërtetuar se i njëjti ishte person i kërkuar me tri urdhëresa aktive nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, si dhe dy letërreshtime nga Gjykata Themelore në Gjilan.
I dyshuari ishte në kërkim për disa vepra penale, përfshirë dëmtim apo asgjësim të pasurisë, trafikim me njerëz dhe falsifikim të dokumentit.
Në bazë të urdhëresave të gjykatës, personi ishte i dënuar me 3 vite e 8 muaj burgim. Pas përfundimit të procedurave të nevojshme policore, ai është dërguar në vuajtje të dënimit. /Telegrafi/