Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” ka njoftuar për ndërprerje të përkohshme të furnizimit me ujë të pijes në disa zona, si pasojë e një defekti në rrjetin e ujësjellësit.
Sipas njoftimit, ndërprerja ka ardhur si rezultat i një shpërthimi të gypit të ujësjellësit në Zveçan, duke ndikuar në furnizimin me ujë në Mitrovicën Veriore, Suhodoll dhe në vetë komunën e Zveçanit.
“Të nderuar konsumatorë, ju njoftojmë se si pasojë e një shpërthimi të gypit të ujësjellësit në Zveçan, aktualisht ka ndërprerje të furnizimit me ujë të pijes në Mitrovicën Veriore, Suhodoll dhe Zveçan”, thuhet në njoftimin e KRU “Mitrovica”.
Kompania ka bërë të ditur se ekipet e mirëmbajtjes janë në terren dhe po punojnë intensivisht për sanimin e defektit.
“Ekipet e mirëmbajtjes së KRU ‘Mitrovica’ Sh.A. janë në terren dhe po punojnë intensivisht në sanimin e defektit. Rikthimi i furnizimit me ujë pritet të bëhet gjatë orëve në vijim, menjëherë pas përfundimit të punimeve”, thuhet më tej në njoftim. /Telegrafi/