Ndeshja çerekfinale e Kupës së Kosovës në basketboll ndërmjet Bashkimit dhe Pejës u ndërpre pas incidenteve të papranueshme nga tifozët në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren.
Shikuesit hodhën gjësende drejt parketit, duke shkaktuar ndërprerjen e takimit dhe alarmuar lojtarët dhe stafin teknik. Rezultati në ato momente ishte 32-21 në të mirë të Bashkimit.
Si pasojë e këtyre veprimeve, basketbollisti i Pejës, Dardan Berisha, pësuar lëndime në kokë nga goditjet dhe objekte të hedhura nga publiku, duke e detyruar skuadrën pejane të largohej nga parketi drejt dhomës së zhveshtjes.
“Basketbollistit tonë Dardan Berisha i është dëmtuar koka nga goditjet dhe hedhjet e publikut në Prizren. Për sigurinë e lojtarëve tanë, skuadra largohet në drejtim të zhveshtoreve”, thuhet në njoftimin e klubit të Pejës.
Autoritetet e klubit dhe organizatorët e ndeshjes po bëjnë vlerësimin e situatës për të vendosur masat e mëtejshme dhe sigurinë e lojtarëve dhe publikut.
Ndeshja e kthimit do të zhvillohet në palestrën “Karagaçi”, ku pritet të garantohet një ambient i sigurt për të dy skuadrat. /Telegrafi/